
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot në një takim kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, Gerhart Holzinger, në fokus të të cilit nuk mund të ishte tjetër veçse reformimi i sistemit shqiptar të drejtësisë.
Nga ana e tij, Meta vuri në dukje se miratimi i paketës kushtetuese është në fazën përfundimtare dhe se brenda disa javësh pritet të votohet në Parlament.
Meta nënvizoi se, Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një sistem drejtësie të besueshëm, profesional dhe që të reflektojë integritet në vendimet që merren, duke i shërbyer kështu jo vetëm qytetarëve por edhe klimës së investimeve në vend.
“Në këtë drejtim, mbështetja e Austrisë dhe institucioneve të saj merr një dimension të rëndësishëm dhe është veçanërisht e mirëpritur”, u shpreh Meta.
Ai tha më tej se, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Austrisë janë shumë të rëndësishme dhe në këtë kuadër vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin mes dy gjykatave kushtetuese.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadori austriak në Tiranë, Johann Sattler dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Bashkim Dedja.
Top Channel