Lezhë, pranga të kërkuarit nga drejtësia italiane

31/05/2016 00:00

Agjentë të sektorit të antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Lezhës kanë vënë në pranga pasditen e sotme një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas një njoftimi për shtyp, në pranga ka rënë shtetasi Arben Pershqefni, 45 vjeç dhe banues në Laç.

Sipas njoftimit, personi në fjalë ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane, pasi Gjykata e Apelit në Torino e ka dënuar me 5 vjet e 4 muaj burg për krime të lidhura me trafikun e drogës.

Në komunikatën e drejtorisë lokale të policisë saktësohet se 45-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet, 3 muaj dhe 27 ditë burg.

Materialet hetimore do t’i kalojnë ndërkohë Prokurorisë së Kurbinit, për procedimin e mëtejshëm të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin në Itali.

Nga burime policore mësohet se Pershqefni ka qenë pjesë e një grupi të trafikut të narkotikëve dhe akuzohet për “shkelje të ligjit mbi drogën në bashkëpunim”.

Top Channel