Punonjësit e hekurudhave në Francë do të hidhen në grevë, duke iu bashkuar sindikatave që vazhdojnë të protestojnë kundër reformave të punës. Kjo lëvzije pritet që të pengojë edhe më shumë sistemin e transportit që është aktualisht në telashe për shkak të mungesës së karburantit. Megjithatë, presidenti francez Fransua Holond ka ngulur këmbë se nuk do të tërhiqet nga reformat, të cilat e bëjnë më të thjeshtë punësimin, por edhe shkarkimin nga puna.
Sipas mediave franceze, punonjësit e hekurudhave do të nisin grevën e tyre pa afat në Paris të enjten, ndërsa mësohet se edhe pilotët e AirFrance kanë votuar që të bëjnë një tjetër grevë për pagat. Aktualisht, 6 prej 8 rafinerive të naftës në Francë janë ndalur ose punojnë me kapacitet të reduktuar për shkak të grevave të sindikatave. Në reformë parashikohet që punëdhënësit të kenë më shumë liri për të ndryshuar oraret e punës, për të reduktuar pagat dhe mbi të gjitha për të pushuar njerëzit nga puna.
Aktualisht, ligji francez e mbron tej mase punëmarrësin, por qeveria shpreson se duke lehtësuar rregulloret, kompanitë do të punësojnë më shumë njerëz, nëse kanë mundësinë që të bëjnë pushime masive nëse biznesi nuk shkon mirë. Por sindikatat thonë se reforma e re, jo vetëm që nuk do të ulë papunësinë në vend, por gjithashtu do të cënojë sigurinë e punës.
Një mbështetje e fortë për grevat ka ardhur nga publiku francez, i cili pavarësisht telasheve që has në jetën e përditshme prej tyre, sipas sondazheve, mbështet me 46% protestat e sindikatave.
Top Channel