Tenton të vrasë me hanxhar gruan e fëmijët, arrestohet shqiptari

30/05/2016 00:00

Një 35-vjeçar shqiptar në Itali ka tentuar të vrasë me hanxhar gruan dhe dy fëmijët të cilët ishin fshehur në banjo për t’i shpëtuar.

Ka qenë pasditja e së shtunës kur policia italiane ka marrë një telefonatë nga fqinjët e familjes shqiptare se brenda banesës së tyre po ndodhte një zënkë jo normale.

Policia ka nisur negociatat me shqiptarin duke i thënë të arsyetojë dhe të mos lëndojë familjarët e tij, por 35-vjeçari është kundërpërgjigjur duke kërcënuar agjentët me hanxhar, e madje ka tentuar disa herë t’i godasë ata.

Ndërkohë, gruaja, një 33-vjeçare me origjinë italiane dhe dy fëmijët e çiftit italo-shqiptar, qëndronin të fshehur në tualet.

Në momentin kur 35-vjeçari shqeu derën e banjos, policia italiane duke parë rrezikun për jetën e gruas dhe të fëmijëve ka hyrë në banesë nga dera e më pas edhe nga dritarja e banjës.

Gruaja dhe fëmijët u vunë menjëherë nën kujdesin e mjekëve, pasi kishin kaluar në gjendje shoku. Për fat të mirë asnjë nga familja nuk mbeti i lënduar.

Nga hetimet rezultoi se shqiptari kishte precedentë të mëparshëm penal.

Top Channel