Kriza që ka kapur industrinë e ndërtimit prej thuajse një dekade ka përgjegjës edhe investimet e gabuara të ndërtuesve. Mbi 10 mijë apartamente janë sot të pashitura në të gjithë vendin. Por vetë ndërtuesit mendojnë se zgjidhja mund të jetë blerja dhe shitja e tyre enteve të pushtetit lokal për banesa sociale.
Miliona euro kanë mbetur të ngrira në beton si pasojë e stokut të apartamenteve të pashitura, që në të gjithë vendin aktualisht numërohen në më shumë se 10 mijë.
Arben Dervishi i Shoqatës së Ndërtuesve tha: “Sidomos në zonat periferike të Tiranës, në zonat e Golemit, Vlorës, janë një sasi e madhe stoku që vazhdon të mbetet sepse janë bërë investime të gabuara në zona të gabuara”.
Krahasuar me vitet 1995-2005, kërkesa e klientëve ndaj ndërtuesve duket se ka ndryshuar dhe është tendenca për ndërtime më cilësore që ka lënë në mëshirë të fatit ato që shoqata i quan një investim i gabuar.
“Janë gati të paguajnë më shumë për cilësi, pamje më të mirë dhe siguri më të lartë”, shton Dervishi.
Por cila do të ishte zgjidhja për zona të tëra të shndërruara në magazina apartamentesh të pashitura? Ndërtuesit kërkojnë përfshirjen e shtetit për shndërrimin e këtyre apartamenteve në banesa sociale: “Jam dakord që duhet ulur çmimi në një moment, por në periferi çmimet po barazojnë kostot. Kështu që ndoshta shteti mundet të hyjë në tregun e banesave që industria të mos rëndohet më tej”.
Top Channel