Kryeministri Edi Rama ishte për vizitë zyrtare në Suedi, i ftuar nga homologu i tij Stefan Löfven, për të marrë pjesë në takimin e zhvilluar në Dhomën e Biznesit në Stokholm, me rastin e ngritjes së Këshillit të Investimeve dhe Zhvillimit.
Bëhet fjalë për një nënstrukturë e Këshillit Ekonomik Kombëtar që ka për qëllim të asistojë qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për të rritur numrin e investimeve të huaja në vend dhe të lehtësojë e promovojë investimet suedeze në Shqipëri.
Kryeministri Rama e vlerësoi këtë këshill si një faktor suksesi, përfshirë edhe faktin që do të bashkëdrejtohet nga ish-kryeministri suedez Göran Persson.
“Ne jemi shumë të lumtur për këtë bashkëpunim. Kemi të gjithë arsyet që të besojmë se puna e suksesshme që ka bërë kryeministri Rama si kryebashkiak i Tiranës është një punë që ai mund ta kryejë edhe në të gjithë vendin si një të tërë. Ne jemi të bindur që Shqipëria ka shanse të mëdha për të ardhmen, nëse përgatiteni mirë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe reformën në drejtësi do të jeni një vend shumë tërheqës për investimet e huaja direkte. Kjo është diçka që ne mund t’ju ndihmojmë të arrini dhe jam shumë i interesuar për një bashkëpunim të ngushtë me kryeministrin tuaj, Edi Rama”, tha Persson nga ana e tij.
Kryeministri mori pjesë gjithashtu në konferencën me temë “Qeverisje Progresiste”, ku foli për zhvillimet e viteve të fundit në Shqipëri në fushën e arsimit, duke prezantuar punën e qeverisë shqiptare për orientimin e të rinjve drejt arsimit profesional.
“Dallimi qëndron tek dija dhe ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të sjellim njohuritë më të mira në institucionet tona dhe nga ana tjetër të transformojmë sistemin tonë arsimor. Ne besojmë shumë në modelin e dyfishtë gjerman të arsimit profesional. Kemi filluar të shohim rezultatet e para, por do na duhet kohë dhe shumë durim”, tha Rama.
Top Channel