Çmimi i naftës shkoi në 50 dollarë për fuçi për herë të parë në vitin 2016. Rritja i faturohet ndërprerjeve të furnizimeve dhe rritjes së kërkesës globale. Çmimi referencë i naftës bruto arriti në 50.07 dollarë për fuçi në shkëmbimet aziatike.
Të dhënat amerikane sugjeruan të enjten se inventarët e naftës kishin rënë për shkak të ndërprerjes së furnizimeve si pasojë e zjarreve në Kanada, vend i cili është edhe furnizuesi më i madh për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përveç zjarreve në Kanada, edhe aktiviteti i militantëve në Nigeri ka reduktuar prodhimin në Nigeri në më pak se 1.4 milion fuçi në ditë, çka shënon një rënie me 40%.
Çmimi i naftës bruto është rritur me 80% që kur shënoi vlerën më të ulët në 13 vite në fillim të vitit, prej 28 dollarësh për fuçi. Bisedimet e muajve të fundit mes OPEK-ut dhe Rusisë për ngrirjen e prodhimit të naftës kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Në të njëjtën kohë, kërkesa nga ekonomi të mëdha, të tilla si Kina, India dhe Rusia ka qenë më e mirë nga ç’pritej. Përballë zhvillimeve të fundit, analistët kanë filluar të rrisin parashikimet e tyre.
Goldman Sachs tha më herët gjatë muajit se pret që çmimet të qëndrojnë në vlerën e 50 dollarëve për fuçi në pjesën e dytë të vitit 2016 dhe të arrijnë në 60 dollarë në fund të vitit 2017.
Top Channel