Roland Garros, kualifikohen për më tej Murray dhe Nishikori

26/05/2016 00:00

Andy Murray dhe Kei Nishikori kualifikohen për në raundin e tretë të Roland Garros. Tenisti britanik mundi me shumë vështirësi Matias Burg me rezultatin 3-2. Murray fitoi setin e parë 6-2, por më pas e pa veten të dominohej në lojë nga numri 164 i botës.

Burg arriti të fitojë setin e dytë dhe të tretë 6-2 dhe 6-4, për të marrë kryesimin në 2-1. Por francezi nuk mundi dot që të mbajë ritmin e lojës së tij në setet e tjerë, ndërkohë që në krahun tjetër Murray u përmirësua ndjeshëm. Numri 2 i botës fitoi setin e katërt 6-2 dhe më pas atë final 6-3, për të siguruar një vend në raundin e tretë, ku do të ndeshet me Ivo Karlovic.

Nishikori nga ana e tij u kualifikua për në raundin e tretë pasi mposhti kroatin Ivan Dodig 3-0. Ishte një ndeshje që nuk pati shumë histori, me japonezin që e mbylli atë në 1 orë e 40 minuta lojë, duke i fituar setet 6-2, 6-1 dhe 6-3. Kundërshtari i radhës për Nishikorin do të jetë spanjolli Fernando Verdasco.

Fitore të lehtë shënoi edhe kampioni në fuqi i Roland Garros, Stanislav Wawrinka. Zvicerani mundi Taro Daniel 3-0 me sete: 7-6, 6-3 dhe 6-4.

Top Channel