Cleveland Cavaliers rimerr kryesimin në serinë e ndeshjeve të finales së Konferencës së Lindjes ndaj Torontos. Në “Quicken Loans Arena”, skuadra nga Ohajo e shkatërroi atë kanadeze me rezultatin 116-78, për ta çuar rezultatin e kësaj serie sfidash në 3-2.
Në këtë ndeshje, të gjithë të pranishmit panë atë çfarë janë në gjendje të bëjnë James, Love dhe Irving kur janë në ditën e tyre më të mirë. Të tre këta basketbollistë shënuan plot 71 pikë, duke konfirmuar supremacinë e Cleveland në këtë përballje.
Cleveland e vendosi diktatin e tij në këtë përballje që në fillim dhe në pushimin e ndeshjes shkoi me avantazhin e 31 pikëve. Toronto u përpoq që të reagojë disi në periodën e tretë, por basketbollistët e Cavaliers ishin të papërmbajtshëm dhe nuk i lanë asnjë mundësi Raptors-ave të rihynin në lojë. Perioda e fundit e takimit shërbeu vetëm sa për të pasuruar statistikat, pasi fati i takimit ishte vendosur me kohë.
Ndeshja e gjashtë do të luhet në “Air Canada Center” të Torontos, ku skuadra kanadeze do të shpresojë për të barazuar gjithçka, ndërkohë që në krahun tjetër Cleveland do të kërkojë të mbyllë përfundimisht çështjen e kualifikimit në finalen e madhe të NBA.
Top Channel