Dani Alves do të largohet nga Barcelona për t’u transferuar te Juventusi në 3 sezonet e ardhshme. Ky është lajmi i bujshëm që po qarkullon në median spanjolle, sipas së cilës, futbollisti brazilian do të largohet nga skuadra katalanase me parametra zero.
Gjithnjë sipas medias iberike, marrëveshja tashmë është arritur dhe javën e ardhshme pritet të bëhet edhe zyrtarizimi i kalimit të 33-vjeçarit te klubi torinez. Mësohet se bisedimet me drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” kishin nisur përpara një muaji dhe akordi u arrit menjëherë pas finales së Kupës së Mbretit.
Dani Alves është larguar nga Barcelona për t’u bashkuar me përfaqësuesen braziliane për Copa America Centenario dhe do të kthehet në Katalunjë vetëm për të bërë përshëndetjet e fundit pasi të ketë firmosur kontratën me kampionët e Italisë.
Dani Alves u transferua te Barcelona nga Sevilla në vitin 2008 dhe në 8 sezonet e zhvilluara me kampionët e Spanjës ai ka qenë titullar i padiskutueshëm. Me largimin e brazilianit, Barcelona i krijon mundësinë e aktivizimit Aleix Vidal, ndërkohë që pritet të kthejë në Spanjë edhe mbrojtësin Bellerin, një futbollist i formuar pikërisht në La Masia, por që u transferua te Arsenali.
Top Channel