Fier dhe Vlorë, Dogana arreston në flagrancë dy persona

25/05/2016 00:00

Dy persona janë arrestuar në flagrancë për kontrabandë dhe kundërshtim të punonjësve doganorë. Në Fier ndalohet përfaqesuesi i një subjekti për kontrabandë me hidrokarbure, ndërsa në Vlorë ndalohet një shtetas për kontrabandë dhe kundërshtim të punonjësve doganorë.

Drejtoria e Hetimit dhe Antikontrabanda në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave kanë vënë në pranga 2 persona për kontrabandë hidrokarburesh dhe mallrash të tjerë. Fillimisht, në Fier është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Shefqet Kasaj, përfaqësues i subjektit “Kasa”, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në depozitat e këtij subjekti nga Drejtoria e Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave rezultoi se në 5 depozita kishte gjendje një sasi prej 54 mijë litra material hidrokarbur, pavarësisht se subjekti nuk është i pajisur me autorizim të magazinës fiskale.

Ndërsa në Vlorë u arrestua shtetasi Leksi Gubera, për kontrabandë mallrash dhe kundërshtim të punonjësve doganorë. Inspektorët e Antikontrabandës kishin ndaluar për kontroll mjetin që drejtohej nga ky shtetas, por pasi ka përfunduar kontrolli ai nuk ka pritur rezultatin, ka kundërshtuar inspektorët e Antikontrabandës dhe është larguar nga vendkontrolli. Grupi i Antikontrabandës është vënë në ndjekje të mjetit dhe pasi kanë ndaluar mjetin kanë konstatuar se është shkarkuar një sasi malli.

Mjeti është shoqëruar për në ambientet e Degës Doganore Vlorë së bashku me drejtuesin e tij Leksi Gubera.

Top Channel