SHBA, pranga shqiptarit 22-vjeçar. Akuzohet për mbështetje të ISIS-it

24/05/2016 00:00

Një shqiptar që jetonte në Bronx, një lagje e njohur si geto e Nju Jorkut, është arrestuar të martën nga autoritetet amerikane për terrorizëm. Sajmir Alimehmeti përballet me akuzën e sigurimit të mbështetjes për grupin xhihadist të të ashtuquajturit Shtet Islamik, që vepron në Irak dhe në Siri.

22-vjeçari përshkruhet nga letrat e dorëzuara në gjyq si një person që ka treguar vazhdimisht mbështetje për ISIS-in që prej vitit 2014. Ende nuk dihet se kush do ta përfaqësojë atë në seancën e parë gjyqësore që do të zhvillohet në gjykatën federale të Manhattanit.

Autoritetet kanë shkruar në aktpadinë se Alihmehmeti është përpjekur gjatë këtij muaji për t’i ofruar këshilla dhe ndihmë një personi, i cili pritej të udhëtonte nga Nju Jorku drejt Sirisë, për t’u trajnuar dhe për të luftuar me ISIS-in.

Në aktpadi shkruhet se zyrtarët kishin gjetur materiale të shumta në laptopin e tij, që tregonin mbështetje ndaj ISIS-it, përfshi këtu foto të luftëtarëve xhihadistë, fotografi të vet Alimehmetit duke pozuar përpara flamujve të grupit, si dhe disa leksione nga kleriku amerikan i al-Qaeda-s, tashmë i vdekur, Anwar al-Awlaki.
 
Hetuesit thonë gjithashtu se autoritetet në Britaninë e Madhe e kishin kthyer Alimehmetin drejt Shteteve të Bashkuara dhe i kishin ofruar FBI-së informacione, pasi i kishin ndaluar atij hyrjen në ishull përmes aeroporteve të Manchesterit dhe “Heathrow”-t. Ata i kishin gjetur në valixhen e tij personale veshje kamuflazhi dhe shkopinj të lidhur me zinxhir mes tyre.

Alimehmeti ishte i njohur edhe si Abdul Qawii, madje me të dhëna të falsifikuara, i riu nga Shqipëria kërkonte të merrte një pasaportë të re, që t’i bënte më të lehta lëvizjet e tij, pasi emri i vërtetë i tij rezultonte në sistem.

Sajmir Alimehmeti kishte tentuar gjithashtu të vinte në Shqipëri e më pas, së bashku me të vëllanë, të udhëtonin drejt Rakasë në Siri, por ky skenar nuk i ishte realizuar dot, pasi i vëllai ishte arrestuar.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, autoritetet i gjetën disa sende që lidheshin me kalifatin e vetëshpallur islamik, si thika të llojeve të ndryshme, maska, doreza dhe një foto e tij me flamurin e ISIS-it. Ndërsa në telefon iu gjetën disa regjistrime të Anwar Al-Awlaki, i cili u vra në vitin 2011.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA