Hapet tenderi për HEC-in e ri në Drinin e Zi, PD: Farsë

24/05/2016 00:00

Qeveria ka hapur zyrtarisht tenderin për dhënien me koncesion të Hidrocentralit Katundi i Ri mbi Drinin e Zi.

“Procedura e propozimit të pakërkuar sipas ligjit të koncesioneve, është shpallur para disa ditësh. Afati është 54 ditorë dhe mbyllet më 11 korrik. Për ne është e rëndësishme që të kemi një investues të duhur që të zhvillojë projektin duke sjellë atë që pritet nga ky projekt”, thotë Koli Bele, sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Energjitikës dhe Industrisë.

Por opozita akuzoi se tenderi është një farsë, pasi qeveria e ka përcaktuar sakaq fituese kompanitë turke “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” përmes një pakti korruptiv.

“E vërteta është se kemi të bëjmë me një pakt të kërkuar me kohë, me negociata të paligjshme e private, fillimisht të Edi Ramës, pastaj të Arben Ahmetajt, i cili ka ndërmarrë dhjetëra udhëtime luksoze me çarter. Suzer dhe çdo kompani tjetër janë të paralajmëruar edhe sot me datë 24 maj 2016 nga Partia Demokratike e Shqipërisë se: koncesioni korruptiv i Skavicës do të zhbëhet”, u shpreh sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma.

Por Ministria i ka hedhur poshtë akuzat dhe thotë se koncesioni po zhvillohet në përputhje me ligjin.

“Projektet e mëdha janë të shoqëruara gjithmonë me debate. Ajo që ministria garanton është transparenca dhe respektimi maksimal i ligjeve të shtetit”, thotë Koli Bele.

Hidrocentrali i Katundit të Ri pritet të kushtojë mbi 95 milionë euro dhe nëse tenderi rezulton i sukseshëm ndërtimi i tij nis vitin e ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA