
Imzot Lucjan Avgustini, i cili u nda nga jeta mesditën e së dielës, veç predikimit për Zotin, një pjesë të jetës së tij, ja kushtoi dhe mbledhjes së relikeve historike që lidheshin jo vetëm me katolicizmin, por dhe me historinë e Shqipërisë.
E për këtë arsye, ai ndërtoi dhe një muze të vogël, në ambientet e Dioqezës së Sapes.
Në këtë intervistë të zhvilluar pak kohë më parë dhe të papublikuar, Imzot Lucjan Avgustini tregoi për Top Channel, se përse vendosi të ngre këtë muze.
“Kam dashur që të vihet në dukje disa vlera edhe pse të vogla, pas asaj që ka kaluar historia, sepse e bukura, e mira, gjërat e vlefshme duhet të dalin në pah jo të mbeten në sirtar”, është shprehur më 25 dhjetor 2014 Imzot Lucjan Avgustini.
Mes qindra sendeve me vlerë, Imzot Luçjan Avgustini veçoi disa prej tyre.
“Gozhdët e kishës në kohën e Skënderbeut. Kisha që ne kimi edhe në kartëmonedhën tonë 1 mijë lekëshe, Kisha e Zojës në Dejë. Thuhet se në këtë Kishë ka lidhur kurorë edhe Skënderbeu”, është shprehur Imzot Lucjan Avgustini.
Arqipeshvki i Dioqezës së Sapes, u largua nga kjo jetë të dielën, por ajo që ai la pas do të mbetet në memorien e të gjithë banorëve të cilëve u shërbeu, por edhe të historianëve, të cilët fal punës së tij kanë të ruajtura një numër të madh sendesh me vlerë për historinë e vendit tonë.
Top Channel