
Luhet në “Vicente Calderon”, në stadiumin madrilen të Atletico-s dhe askush nuk e di nëse finalja e Kupës së Mbretit do të zgjasë 90, apo 120 minuta e ndoshta edhe penalltitë.
Barcelona do të kërkojë pikërisht këtë trofe mbrëmjen e sotme, të fundit sezonal, por për të vendosur duart te simboli futbollistik i monarkisë, duhet të mundë Sevilla-n.
Trajneri Luis Enrique pret një finale të luftuar fort ndaj skuadrës që vetëm pak ditë më parë fitoi Europa Ligën për herë të tretë radhazi. Por, në kampin blaugrana janë të bindur se trofeu do të jetë në muzeun e pasur të Barcelonës pas mbrëmjes së sotme.
“Thuajse në çdo finale duhet të vuash, sidomos kur luan ndaj një skuadre që aktualisht ka nivelin më të lartë të optimizmit. Sevilla ka shanset e saj për të fituar trofeun edhe pse ka patur disa dëmtime së fundmi, por e ka treguar që është ekip i madh dhe mund të komplikojë rrugën tonë. Jam optimist gjithsesi se do të triumfojmë edhe pse për këtë do presim minutën e fundit”, tha trajneri i Barcelonës.
Në një linjë me Enrique-n, edhe kapiteni Iniesta insistoi se Sevilla mund të jetë e lodhur pas finales emocionuese ndaj Liverpool-it, por shumë e motivuar për të fituar.
“Për ne është akoma më tepër e rrezikshme që ata fituan një trofe, pasi duan të marrin një tjetër dhe kanë motivim ekstra. Lodhja nuk do të përbëjë problem. Barça ka fituar 27 herë Kupën e Mbretit, ndërsa Sevilla vetëm 5 herë”, tha Iniesta.
Top Channel