
Kanë kaluar pak ditë nga mbyllja e sezonit futbollistik 2015/2016 dhe nga 10 skuadrat që do të marrin pjesë për vitin e ardhshëm, mbeten vetëm nëntë. Flamurtari nuk ekziston ende pas vendimit për shkrirjen e skuadrës që mori presidenti Sinan Idrizi, menjëherë në përfundim të ndeshjes Flamurtari-Skëndërbeu.
Ndeshja, e cila u fitua lehtësisht nga korçarët me rezultatin 2-0, hodhi dyshime të mëdha për një mungesë të theksuar impenjimi nga skuadra e Flamurtarit.
“Arsyet e shkrirjes janë mëse të thjeshta; shfaqja e shëmtuar që e pamë të gjithë që ka turpëruar jo vetëm stafin e Flamurtarit, presidencën, qytetin, për më tepër ka turpëruar fanelën. Një ekip që nuk është në vijë paralele me atë që qyteti dhe presidenca kërkon, nuk ka më kuptim pse të ekzistojë”, thotë administratori Sinan Idrizi.
Gjithashtu, Idrizi thekson se nuk priste ndonjë mrekulli nga skuadra e tij, e cila vetëm një javë përpara mbylljes të sezonit siguroi qëndrimin në Superligë, por të paktën të mos turpëronte fanelën.
“Lojtarëve para ndeshjes u kam kërkuar vetëm një gjë, u kam thënë: u kam falur të gjitha ato që kanë ndodhur këtë sezon dhe ju lutem luani për qytetin. Këtu ka ndodhur një ndeshje sportive që vetëm e tillë nuk mund të quhet. Shfaqja është shumë e shëmtuar dhe aktorët e saj nuk kanë më mundësi që të jenë pjesë e Flamurtarit”, shton ai.
Në ditët në vazhdim do të nisin bisedimet për riformimin e Flamurtarit. Gjithçka fillon me trajnerin, që me shumë gjasë do të jetë Gugash Magani, ish-trajneri i Flamurtarit, por që në sezonin e shkuar drejtoi Teutën.
Top Channel