Sejko: Rritja ekonomike në duart e politikës, jo bankës

20/05/2016 00:00

Guvernatori Gent Sejko deklaroi se politikat e Bankës së Shqipërisë nuk mund të ndikojnë në rritjen ekonomike, ndaj i takon qeverisë të kryejë reformat e nevojshme.

Në një seminar me temën “Rishqyrtimi i bashkërendimit midis politikës monetare dhe politikës fiskale”, organizuar nga Banka e Sllovenisë në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Sejko tha se politika monetare nuk duhet mbingarkuar me një mori qëllimesh, përndryshe rrezikon të humbasë besueshmërinë.

“Duhet që gjithmonë t’i kujtojmë vetes se çfarë mundet dhe nuk mundet të arrijë politika monetare: ne mund të ndikojmë mbi variablat nominalë të ekonomisë, domethënë nivelin e çmimeve, por nuk mund të ndikojmë as mbi rritjen afatgjatë dhe as mbi prosperitetin e përgjithshëm në ekonomi”, tha Sejko në fjalën e tij.

Ndaj sipas, kreut të Bankës së Shqipërisë, i takon politikanëve të reformojnë ekonominë. “Në këtë drejtim mendoj se duhet që gjithmonë t’i kujtojmë politikanëve përmbushjen e detyrave të tyre në lidhje me reformat strukturore dhe shfrytëzimin sa më mirë të frymëmarrjes që u jep politika monetare”, vijoi Sejko.

Më tej gjatë fjalës së tij, guvernatori i njohu të pranishmit me kursin e politikave ekonomike që po ndjek Shqipëria.

“Norma bazë e interesit, tashmë në 1.25%, është në nivelin më të ulët historik, nivel ky i paimagjinueshëm vetëm disa vite më parë. Ndërkohë, kemi rritur operacionet e injektimit të likuiditetit, si dhe kemi zgjeruar gamën e kolateralit të pranuar; dhe kemi përdorur komunikimin e kahut të ardhshëm të politikës monetare si një instrument alternativ të saj”, përfundoi Sejko.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA