Një hapësirë e re për studiuesit, shkencëtarët dhe kërkuesit e rinj, i është shtuar sot kryeqytetit.

Godina pranë Akademisë së Shkencave, e përdorur për shumë vite si garazh makinash e si stallë në kohën e Mbretit Zog, nga sot do t’i dedikohet mendimit shkencor, falë edhe bashkëpunimit me agjencinë “TIKA”.

“Ishte një hapësirë e munguar dhe për ata, të cilët e kanë njohur këtë hapësirë, kjo ka qenë një ndërtesë pothuajse jashtë funksionit gati 100-vjeçare, e përdorur kryesisht si garazh makinash. Pikërisht falë bashkëpunimit që patëm me TIKA-n mundëm që t’ia ndryshonim fytyrën kësaj ndërtese, duke e kthyer në një ambient të këndshëm e funksional për publikun”, tha Vaso Tole, sekretar i Akademisësë Shkencave.

Godina e “Librit Akademik” është ambient promovimi dhe ekspozimi për librat studimorë të akademikëve vendas e të huaj, një hapësirë e munguar për mendimin akademik.
   
“Është investimi më i fundit kulturor e shkencor në Tiranë, dedikuar atij që quhet libri akademik. Pra, përgjithësisht librit universitar, studimor, apo librit që ka në qendër kërkimin shkencor. Besoj se, për shkak të pozicionit të favorshëm që ka, pothuajse në qendër të Tiranës, do të jetë në funksion të lexuesve të shumtë të kësaj kategorie librash, të cilët për hir të së vërtetës nuk i gjejnë dot këto botime në libraritë e zakonshme”, deklaroi më tej Vaso Tole.

Që prej ditës së sotme, 600 tituj iu ofrohen studiuesve, mes të cilëve: fjalorë gjuhësorë, terminologjikë, enciklopedikë, si dhe monografi të ndryshme.

Top Channel