CRCA jep rekomandimet: Ja si të çmontojmë dhunën

19/05/2016 00:00

Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) kërkon mbylljen e jetimoreve për shkak të skandaleve të kohëve të fundit. Ata i kërkojnë Ministrisë së Mirëqenies Sociale të ndryshojë mënyrën e përkujdesjes ndaj jetimeve duke mbyllur qendrat rezidenciale dhe duke krijuar sistemin kombëtar të familjeve përkujdesëse.

Kjo qendër i kërkon Parlamentit të miratojë me procedurë të përshpejtuar ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar dhunën, neglizhencën apo shfrytëzimin që mund t’i jetë bërë fëmijëve që kanë jetuar dhe jetojnë në jetimore.

Një tjetër kërkesë drejtuar Parlamentit është miratimi me prioritet i ndryshimeve ligjore në Kodin e Familjes dhe në ligje të tjera, që do të bënin të mundur kthimin e shërbimit të familjeve alternative në një sistem kombëtar të përkujdesjes alternative.

Gjithashtu i kërkon qeverisë shqiptare të vendosë, bazuar në një plan të qartë dhe të detajuar, mbylljen e jetimoreve dhe kthimin e të gjithë shtëpive të fëmijëve në Qendra të Punës Sociale dhe Komunitare, të bashkë-administruara nga Shërbimi Social Shtetëror dhe organizatat e shoqërisë civile.

Top Channel