Ekonomi: Ndërlidhja ekonomike, përmes një zone të lirë rajonale

18/05/2016 19:00

Në kuadër të presidencës gjermane tëOSBE-së, nën kujdesin e ministrit të Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, u zhvillua sot në Berlin konferenca ndërkombëtare me temë “Konektiviteti për Tregtinë dhe Investimet”.

E pranishme në këtë takim, bashkë me homologë të vendeve të rajonit, ministrja shqiptare e Ekonomisë, Milva Ekonomi deklaroi se, angazhimet e ndërmarra nga qeveritë për një bashkëpunim më të konsoliduar është koha të kthehen në realitet.

“Liderët e vendeve tona janë dakordësuar për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së rajonit dhe për më shumë bashkëpunim ekonomik. Është koha për t’i kthyer këto premtime në iniciativa konkrete për të mirën e qytetarëve tanë, për më shumë mundësi e njëkohësisht shkëmbime tregtare, të cilat si pasojë do të sjellin shtimin e bizneseve dhe investimeve”, deklaroi Ekonomi.

Ministrja shprehu vendosmërinë e palës shqiptare për zbatimin e plotë të të gjitha masave të vendosura në Samitin e Vjenës, ku përfshihen projekte në energji dhe infrastrukturë, me qëllim finalizimin e tyre deri në 2016-n.

“Shprehim mirënjohje për ndihmën e dhënë Shqipërisë në Samitin e Vjenës për Rrjetin e Interkonjeksionit me Maqedoninë”, theksoi Ekonomi, e cila më tej e vuri theksin tek ajo se si duhet të jetë e ardhmja e rajonit.

“Ne e shohim të ardhmen e bashkëpunimit të ri rajonal duke investuar gradualisht për qasjen ndaj të pasurit nga një zonë e lirë tregtare në atë të një rajoni të lirë”, tha Ekonomi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA