Durrës, pranga kancelares së Gjykatës së Apelit; reagon Manjani

17/05/2016 20:25

Kancelarja e Gjykatës së Apelit në Durrës është arrestuar pasditen e sotme nga policia e qytetit bregdetar.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se, Suzana Mandija është vënë në pranga nën akuzën e “korrupsionit pasiv”. Konkretisht ajo dyshohet se ka manipuluar hedhjen e shorteve për caktimin e trupave gjykuese për çështje të ndryshme.

Ekzekutimi i këtij arresti është bërë në bazë të një hetimi disamujor me metoda speciale nga ana e Drejtorisë për hetimin e krimit ekonomik dhe financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, përmes të cilit është bërë e mundur dokumentimi i veprimtarisë korruptive, të shtetases së mësipërme, ndaj të cilës është urdhëruar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Me të marrë lajmin, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e ka shkarkuar kancelaren, prej 10 vjetësh në këtë detyrë dhe ka përshëndetur punën e prokurorisë.

“Përshëndes aktin e prokurorisë dhe e mbështes në veprimet që zbardhin të vërtetën. E inkurajoj për hetime të thella e të plota të këtij rasti”, ka deklaruar Manjani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA