Tre persona, atë e bir dhe drejtuesi 21-vjeçar, mbetën të plagosur në autostradën Tiranë-Durrës, pas daljes nga rruga të automjetit me të cilin udhëtonin.
Ngjarja ndodhi në orët e pasdites, në afërsi të Maminasit, kur automjeti tip “Ford” me targë “AA 775 CT”, pas humbjes së kontrollit u përplas me barrierat anësore dhe doli jashtë rruge.
Për pasojë mbeti i lënduar drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerët, atë e bir, përkatësisht 54 dhe 16 vjeç, të tre me banim në Mamurras.
Pas aksidentit, ata u dërguan në spitalin rajonal të Durrësit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbulimin e shkaqeve të aksidentit.
Ndërkohë, Drejtoria e Policisë së qarkut Durrës bëri të ditur se efektivët e komisariatit të Krujës, në kuadër të masave për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë, brenda 10 ditëve të fundit kanë arrestuar 8 shtetas për drejtim të automjeteve në mënyrë të parregullt, kryesisht për drejtim në gjendje të dehur dhe pa dokumentacionin e duhur.
Top Channel