
Roberto Mancini do të qëndrojë në pankinën e Interit edhe sezonin e ardhshëm. Presidenti i klubit zikaltër, Erik Thohir, konfirmoi qëndrimin e teknikut italian në pankinën e skuadrës gjatë një eventi të “Inter Club”, në Indonezi.
“Kam dëgjuar shumë ankesa për Mancinin, të gjithë më thonë që duhet ta zëvendësoj me dikë tjetër, por në jetë nuk duhet që të ankohemi gjithnjë dhe të bëjmë ndryshime të vazhdueshme. Duhet që të kemi durim dhe t’i japim besimin edhe për një sezon trajnerit tonë. Në fund të fundit, ai ka edhe një vit kontratë me ne”, tha Thohir.
Më pas, presidenti i Interit theksoi se synimi i zikaltërve është që sezonin e ardhshëm të përmirësohen akoma më shumë dhe se Mancini gëzon besimin e plotë të tij dhe të bordit drejtues të klubit. Ai shtoi se skuadra ka shumë talente në përbërje, por i mungon një lider i vërtetë.
Në të njëjtën kohë, Thohir konfirmoi se klubi zikaltër do të ndërhyjë në merkaton e transferimeve për të bërë 2-3 blerje të rëndësishme.
Top Channel