Përveç problemeve me drogën, që e kanë bërë të etiketohet si Kolumbia e Europës, Shqipëria po përjeton së fundmi edhe një luftë institucionesh.
Kështu shkruan gazeta italiane “Corriere di Milano”, sipas të cilës lufta e ashpër po bëhet mes shërbimeve sekrete dhe qeverisë.
“Të parët akuzojnë të dytën se autorizon përgjime ilegale falë disa pajisjeve të prodhuara nga një firmë italiane, lider në sektor e që furnizon prokurori të ndryshme”, thotë gazeta.
Kompania ka përdorur kanale lehtësuese për të depërtuar fuqishëm në tregun shqiptar. Sipas gazetës, ajo ka kaluar përmes trupit diplomatik italian dhe në veçanti zyrës ndërlidhëse Interforce, të drejtuar deri para pak kohësh nga oficerja Anna Poggi.
“Nëse këto janë trillime, fryt i një fushate keqinformimi apo të vërteta, këtë mund ta përcaktojnë vetëm hetimet”, shkruan gazeta. Sipas saj, ish-zyra e Interforce në Tiranë ka “lidhje familjare” me kompaninë që furnizon pajisjet.
Anna Poggi është një figurë e njohur në Itali për ngjarjet e vitit 2001 në Xhenova, pas të cilave u caktua dhe drejtuese e Interforce, njësi e lidhur me Interpolin, në Tiranë.
Emri i saj është përfolur edhe ku shpërtheu rasti i oficerit të policisë Dritan Zagani, menjëherë pas të cilit ajo u lëviz nga posti nga Ministria e Brendshme italiane. Çështja e saj bën që të shtrohen disa pyetje:
Çfarë dinte Poggi për Zaganin?
Cilat ishin marrëdhëniet e saj me Tiranën zyrtare?
Çfarë mban të lidhur politikanë të rangut të lartë të Shqipërisë me funksionarë italianë?
“Të gjitha këto pyetje mund të gjenerojnë një hetim intensiv që mund të hedhë dritë mbi praninë e një sistemi të nyjëzuar”, thotë më tej “Corriere di Milano”.
Top Channel