Rasti i Klemend Balilit ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave italiane, të cilat shkruajnë se ngarkesa e fundit prej 768 kg kanabis e kapur në brigjet e Greqisë kishte si destinacion zonën e Salentos, në Itali.
Prej këtej, shkruan “Corriere”, ngarkesa do të përfundonte në qytetin e Milanos, që është dhe zona e preferuar e trafikantëve për shkak të çmimit.
Sipas gazetës, që citon burime pranë njësisë së antikrimit të organizuar pranë Guardia di Finanza, marijuana në qytetin verior të vendit fqinj arrin në 700-800 euro për kile.
“Në krye të organizatës së kësaj ngarkese dhe dhjetëra të tjerave është një person i pagëzuar si “Eskobari i Ballkanit” dhe i kërkuar nga gjysma e vendeve të Europës”, shkruan “Corriere di Milano”.
Menaxheri i shtetit dhe njeriu i besuar i qeverisë shqiptare, siç e quajnë mediat që citojnë burime investigative, është parë disa herë në Milano, si për takime zyrtare për shkak të detyrës, ashtu edhe për bisedime “informale” me bashkëkombas që lëvizin në këtë qytet dhe rrethinat e tij.
“Grupet shqiptare të drogës që lëvizin në Milano dhe provincë janë shumë aktivë në zonën Abbiategrasso. Nuk ushtrojnë një kontroll të fortë të territorit, por kanë zënë vend, e njohin ambientin dhe kanë një rrjet efikas”, deklaron një zyrtar i lartë i karabinierëve.
Sipas “Corriere”, gjatë qëndrimit në Milano, Balili preferonte të vizitonte pikat kryesore të qytetit, si Galeria pranë sheshit Duomo, dyqanet e shtrenjta dhe zona si Porta Venezia, apo sheshi Repubblica.
Ato shkruajnë se, “Eskobari”, i cili mund të fshihet në Greqi, përdorte rolin e tij prej zyrtari për të transportuar drogën dhe për të marrë vesh në kohë reale lëvizjet e prokurorëve dhe policisë.
“Që në drejtësinë shqiptare diçka nuk funksionon, kjo dihet”, shkruan më tej “Corriere”, e cila vijon, “kriminelë në prag të arrestimit nga hetues të huaj marrin befas lajmin dhe zhduken”.
Top Channel