PD: Thellohet korrupsioni i qeverisë Rama, gjysma e shqiptarëve paguajnë rryshfet

15/05/2016 12:40

Partia Demokratike, me anë të zëdhënëses Ina Zhupa, ka deklaruar se çdo raport ndërkombëtar vlerëson se në Shqipëri korrupsioni është “i kudogjendur dhe pasojat e tij i ndjen çdo qytetar që sot është më i varfër, më i pasigurtë, dhe nuk i ofrohet shërbimi nga zyrat e shtetit  pa paguar më parë”. 

“Studimi i fundit i Southeast Europe Leadership for Development and Integrity mbi korrupsionin në Shqipëri për vitin 2016 tregon se numri i qytetarëve që pranojnë se ju është dashur të paguajnë rryshfet për të marrë shërbimin që ju takon u rrit me 5% krahasuar me vitin paraardhës. Plot 49.6% apo 1 në çdo 2 qytetarë janë detyruar të japin rryshfet në këmbim të marrjes së shërbimeve të detyrueshme falas në zyrat e shtetit. Këto të dhëna demostrojnë vetëm njërën anë të përkeqësimit të situtatës së korrupsionit në Shqipëri, sepse siç deklaron raporti vjetor i Departamentit Amerikan i shtetit korrupsioni është i kudogjendur. Në dy vjet, 2.2 miliardë euro u janë vjedhur shqiptarëve nga doganat, tatimet, tenderat, koncesionet, CEZ, OSHEE  etj. Ndërsa papunësia dhe varfëria rriten, qeveria ka harxhuar në mënyrë korruptive rreth 90 milion euro për luks, karburant, bileta avioni e makina”, deklaroi Zhupa.

“Vetëm me këto para do të ishin punësuar  të paktën 14 mijë shqiptarë për një vit me rrogën 500 dollarë në muaj ose do të kishin marrë ndihmën e plotë ekonomike prej 68 mijë lekë të vjetra në muaj plot 109 mijë familje. Korrupsioni është shkaktari kryesor që vendi ndodhet në krizë totale ekonomike, në varfëri, në papunësi, në pamundësi për të mbyllur muajin.  Korrupsioni  është arsyeja që 46% shqiptarëve siç e shfaqin edhe statistikat e fundit të Bankës Botërore, jetojnë në varfëri me vetëm 5 dollarë për familje ne ditë. Korrupsioni është një nga arsyet  kryesore të përkeqësimit të klimës së biznesit, largimit të investitorëve të huaj dhe mbylljes së mijëra vendeve të punës. Ky raport është një tjetër dëshmi tronditëse në pak javë për korrupsionin e ngritur në sistem nga qeveria Rama, përmes vjedhjes dhe abuzimit me taksat dhe pasuritë e shqiptarëve dhe rryshfetit të shumëfishuar në çdo zyrë publike dhe shtetërore”, shtoi zëdhënësja e PD-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA