Studimi i xhihadimit, Kodheli: Në Shqipëri, një Qendër Ekselente e NATO-s

13/05/2016 00:00

28 vende anëtare të NATO-s, kanë votuar me unanimitet, për ngritjen në Shqipëri të një qendre ekselence të NATO-s, e cila do të merret ekskluzivisht me fenomenin e luftetarëve të huaj terroristë.

Këtë lajm e ka bërë publik, vetë ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila ka vlerësuar maksimalisht besimin dhe vlerësimin e dhënë jo vetëm nga vendet anëtare të NATO-s, por edhe nga komiteti ushtarak i aleancës.

Ministrja Kodheli ka zbuluar edhe specifikën e punës së kësaj qendre, e cila do të jetë e para që do të mbajë flamurin e NATO-s në vendin tonë.

“Fenomeni i luftëtarëve të huaj terroristë ka marrë përmasa të konsiderueshme. Mijëra prej tyre largohen nga Evropa dhe luftojnë sot në shtete dhe territore të destabilizuara në Lindjen e Mesme. Disa prej tyre janë qytetarë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo Qendër Ekselence do të ndihmojë vendet anëtare të NATO-s, por dhe ato shtete partnere të interesuara, për të kuptuar në origjinë shkaqet dhe arsyet e radikalizimit të qytetarëve që jetojnë në hapësirën Euro-Atlantike, si dhe për të gjetur rrugët dhe mënyrat e parandalimit të këtij fenomeni në shoqëritë tona”,tha Kodheli.

Kjo qendër pritet të mbështesë gjithashtu edhe projektet e Qeverisë Shqiptare për angazhimet e marra në luften kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Top Channel