Prokuroria e Kavajës urdhëroi arrestimin e dy zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të dyshuar për “shpërdorim detyre”: Dritan Fejzo, drejtori juridik i ARRSH-së, dhe Bib Gjomakaj, drejtori rajonal i Autoritetit Rrugor të Tiranës.
Të dy zyrtarët e lartë u arrestuan pas një hetimi që nisi fill pas aksidentit të rëndë të shtunën e kaluar, ku humbën jetën dy fëmijë. Organi lokal i akuzës e nisi procedimin penal me nismën e saj pas aksidentit të rëndë dhe raportimit në media se, trafikndarëset ishin hequr pikërisht në vendin e aksidentit për të favorizuar një pikë karburanti.
Policia kreu arrestet pasditen e së enjtes, pas urdhërndalimeve të nxjerra nga Prokuroria.
Ndërkohë që vazhdon të mos vendoset trafikndarësja në vendin ku ndodhi aksidenti, rezulton që firma “Pienvis”, e cila ka përfituar nga mungesa e saj për shkak të pikës së karburantit, është edhe firma përfituese e një tenderi 300 milionësh për mirëmbajtjen e aksit rrugor Plepa-Rrogozhinë.
Mbrëmjen e së enjtes, pak orë pas arrestimit të dy zyrtarëve, kjo firmë ka filluar të mbyllë të gjitha hyrje-daljet në autostradë përtej fshatit Qerret, të cilat më parë nuk kanë qenë në projektin ekzistues, madje edhe aty ku nuk ka rrugë dytësore.
Por pavarësisht faktit se i gjithë skandali u zbulua për shkak të aksidentit, vendi ku ai ndodhi vazhdon të jetë pa barrierë mbrojtëse, duke lënë të hapur rrugën për të hyrë në karburant.
*** Në mars të 2011 Gjykata e Kavajës urdhëroi kompaninë ndërtuese të pezullonte punimet për vendosjen e barrierave të sigurisë. Në qershor të 2013-ës gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë do t’i jepte të drejtë shoqërisë “Pienvis” për të mbajtur të hapur kalimin pa barriera siguruese për lidhjen e autostradës me rrugën dytësore në mënyrë që automjetet të lëviznin për furnizim në një pikë karburanti, pronë e kompanisë “Pienvis”.
Por ky vendim prishej rreth një vit më vonë nga Gjykata Administative, e cila vendosi edhe pushimin e gjykimit të çështjes. Në shtator të 2014-ës, drejtori i Autoritetit Rrugor dha urdhër që të vendoseshin barrierat provizore derisa të zbardhej vendimi i gjykatës. Por pavarësisht kësaj, këto barriera nuk u vendosën duke e kthyer segmentin rrugor në burim aksidenti.
Një ditë më parë edhe drejtori i Autoritetit Shtetëror Rrugor bëri të njohur një urdhër të tij për vendosjen e barrierave siguruese të rrugës, por as ky urdhër i tij nuk është zbatuar. Për këtë arsye, prokuroria e Kavajës kërkoi arrestimin e dy zyrtarëve.
Top Channel