Kina zgjat duart në futbollin italian. Përveç Interit e Milanit, në shënjestrën e investitorëve nga Lindja e Largët është vënë edhe skuadra e Romës. Sipas të përditshmes “Corriere dello Sport”, një delegacion kinez ka hyrë në kontakte me presidentin e verdhekuqve, James Pallota, për të tentuar blerjen shumicës së aksioneve të klubit roman.
Vetëm përpara një muaji, sipërmarrës kinezë vizituan Trigorian dhe u panë edhe në Olimpico në ndeshjen mes Romës e Bolonjës. Por, në atë kohë u fol për një partneritet në biznes, pasi një kompani ajrore ishte e interesuar të krijonte itinerare fluturimesh nga Fiumiçino në Kinë, si dhe për interesimin e blerjes së një kuote të aksioneve.
Megjithatë, kjo histori u venit disi për t’u rihapur dhjetë ditë më vonë, pikërisht në javën e sfidës me Napolin. Investitorët kinezë zhvilluan një takim me përfaqësues të Romës, duke shfaqur interesin për të blerë një kuotë aksionesh të klubit verdhekuq, ndërkohë që propozuan edhe opsionin e lidhjes së një kontrate sponsorizimi.
Ndërsa pritet si do të shkojë historia e bisedimeve me investitorët kinezë, te Roma po përgatitet kontrata e re për Tottin pas akordit të arritur me të për rinovimin. Totti do të përfitojë 1.1 milionë euro në sezonin e tij të fundit me verdhekuqtë, shifër së cilës i bashkohen të drejtat e imazhit, që nuk kanë të bëjnë me Romën.
Roma po lëviz edhe në merkaton e transferimeve, ku flitet për largimet e mundshme të Rudigerit, Paredesit dhe Sanabrias, nga të cilët arkëtimet arrijnë deri në 40-50 milionë euro. Roma do të kërkojë të mbajë Nainggolan dhe Pjanic, ndërkohë që pritet kthimi i Benatiasë nga Bajerni i Mynihut.
Top Channel