
Mungesa e Benzema në “Euro 2016” do të ndihet shumë te përfaqësuesja franceze. Kjo është ajo që ka deklaruar Bixente Lizarazu në një intervistë për të përditshmen “L’Equipe”. Benzema është lënë jashtë përfaqësueses së vendit transalpin për shkak të skandalit të shantazhit ndaj Mathieu Valbuenës, ku sulmuesi dyshohet si pjesëmarrës në të.
“Në aspektin sportiv, mungesa e Benzemasë do të peshojë shumë në skuadër, por duhej ruajtur qetësia në përgatitjet e Evropianit, kështu që Deschamps nuk mund të bënte dot gjë në këtë aspekt. Franca nuk do të ketë qendërsulmuesin e saj më të mirë dhe që ka më shumë eksperiencë, aq më tepër që këtë vit përjetoi edhe sezonin më të mirë me Realin e Madridit”, tha Lizarazu.
Lizarazu shtoi se pavarësisht mungesës së Benzemasë, Franca ka armë të tjera për të luftuar në arritjen e objektivit të saj, që është fitimi i “Euro 2016”. Ai shtoi se për fat të mirë, pjesë e “Bluve” është Antoine Griezmann, i cili së fundmi ka marrë rolin e liderit në repartin e sulmit në skuadër, pa harruar këtu as Oliver Giroud.
Në Evropian, Franca është në grupin A së bashku me kombëtaren tonë, Zvicrën dhe Rumaninë.
Top Channel