Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka deklaruar se, të dhënat e Bankës së Shqipërisë rrëzojnë “pretendimet e zeza” të ish-kryeministrit Berisha për situatën ekonomike në vend.
“Analizat dhe vlerësimet tona tregojnë se reduktimi i inflacionit në këto muaj i atribuohet goditjeve të ofertës”, ka deklaruar Ahmetaj.
Dhe për t’ia sqaruar “administratorit” se çfarë do të thotë kjo, ministri, duke cituar Bankën e Shqipërisë ka vijuar:
“Goditje këto të shprehura në rënien e inflacionit të çmimeve të ushqimeve të papërpunara, të naftës dhe të produkteve të lidhura me të. Analizat dhe vlerësimet tona sugjerojnë një natyrë kalimtare të goditjeve të ofertës dhe inflacioni pritet të rritet gradualisht në gjashtëmujorin e dytë të vitit duke qëndruar në nivelin 1.9% në fund të tij”, ka thënë Ahmetaj.
Sipas tij, rënia e inflacionit nuk ka të bëjë me konsumin, por me importimin e kostove të ulëta.
“Kërkesa e brendshme vijoi rritjen në tremujorin e katërt të vitit, e mbështetur nga zgjerimi i investimeve dhe konsumit privat. Konsumi privat përshpejtoi rritjen në tremujorin e katërt, duke u rritur në terma vjetorë 2.1%. Zhvillimet pozitive në tregun e punës, lehtësimi i kushteve të kreditimit dhe rritja e fuqisë blerëse të të ardhurave të disponuara vlerësohen të jënë faktorët nxitës për rritjen e shpenzimeve familjare. Konsumi privat vlerësohet të jetë rritur edhe gjatë tremujorit të parë 2016”, ka vijuar më tej Ahmetaj.
Top Channel