Dhuna, Disiplina me “dorë të hekurt” ndaj Korabit dhe Pogradecit

11/05/2016 00:00

Disiplina ka dhënë vendimet pas dhunës së shfaqur pas përfundimit të dy ndeshjeve të rëndësishme dhe vendimtare të Kategorisë së Parë, Korabi-Kastrioti dhe Pogradeci-Luftëtari.

Kështu, Korabi, për lejim të hyrjes në fushë të spektatorëve pas përfundimit të ndeshjes, duke shkaktuar grindje dhe goditje me ekipin kundërshtar, është dënuar me ndalimin e zhvillimit të ndeshjeve në stadiumin e qytetit ëe Peshkopisë për sezonin 2016-2017.

Ndërkohë, zyrtarët e Kastriotit, Gazmend Vogli dhe Alban Vogli, për nxitje të akteve të dhunës dhe përfshirje në grindje, janë dënuar secili me ndalimin e hyrjes në stadiume për 12 muaj dhe gjobë në masën 150 mijë lekë.

Ndërkohë, për sfidën tjetër, Pogradeci-Luftëtari, për mos përmbushjen e përgjegjësive në organizimin e ndeshjes, skuadra e Pogradecit është dënuar me zhvillimin e 4 ndeshjeve pa spektatorë.
 
Po ashtu, zyrtari i Pogradecit, Gentian Stojku, për sjellje ofenduese ndaj zyrtarit të ndeshjes, është pezulluar për dy ndeshje nga aktiviteti. Ndërkohë, Altin Prifti e Elton Kllogjri, po ashtu zyrtarë të Pogradecit, për goditje me grusht ndaj kundërshtarit, janë pezulluar me nga 10 ndeshje secili.

Po ashtu, për goditje me grusht ndaj kundërshtarit, lojtarët Pogradecit, Vangjel Zguro dhe Hermes Shkulaku, janë pezulluar me nga 6 ndeshje secili.

Top Channel