
Pas dhunës së ushtruar ndaj gazetarit të sportit, Eduard Ilnica, ka reaguar ministri i Drejtësisë, i cili u bëri apel gjyqtarëve dhe prokurorëve që të demostrojnë se drejtësia funksionon. Sipas ministrit Ylli Manjani, organet e drejtësisë duhet të tregojnë se veprojnë me shpejtësi.
“Hetimi dhe gjykimi i rastit, me rastin e Ditës së Drejtësisë, duhet të jetë shembullor. Kërkoj që të jetë shembullor. Dhe do t’i uroja gazetarit shërim të shpejtë”, tha Ylli Manjani.
Në ditën e Drejtësisë ishte e pashmangshme edhe përmendja e reformës, e cila sipas kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, do t’u japë qytetarëve drejtësinë që presin.
“Shpresim gatishmërinë që në vijim, për sa na takon ne të tregohemi bashkëpunues për të realizuar kuadrin e plotë ligjor, rreth 40 ligje që priten të miratohen. Uroj dhe shpresoj që ky konsensus të shkojë më tej deri në miratimin e reformës”, tha Xhezair Zaganjori.
“Këtë radhë, kjo nuk është një çështje import-eksporti, por një çështje shkëmbimi përvojash dhe eksperiencash. Ajo që është më e rëndësishme, tashmë duhet të flasim gjithmonë e më shumë për fazën e zbatimit, sepse reforma për mua është e mbaruar dhe e mbyllur”, deklaroi ministri Manjani.
Top Channel