
Avokati i Popullit ngre shqetësimin se po përballet me indiferencën e qeverisë kur vjen fjala tek dëgjimi i rekomandimeve të këtij institucioni për të garantuar shkeljen e të drejtave të qytetarëve nga shteti.
Mbi 4 mijë qytetarë janë ankuar tek Avokati i Popullit për 2015, ndërkohë që është sugjeruar ndërhyrje ligjore mbi aksesin në shërbimet sociale, ligjore, largimet e padrejta nga puna, shfrytëzimin e fëmijëve në punë apo edhe për dëmshpërblimet.
“Avokati i Popullit është ndeshur me një sërë vështirësish gjatë punës së tij. Ato janë ndeshur në komunikimin institucional dhe aksesin në institucione, mosbashkëpunimin me Avokatin e Popullit, moskthimin e përgjigjeve ndaj rekomadimeve, kërkesave për shpjegime, dhe mosshqyrtimi i raporteve të veçanta drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, por edhe në ngushtimin e kompetencave të Avokatit të Popullit, si dhe në pamjaftueshmërinë e Buxhetit për ushtrimin normal të veprimtarisë së tij”, tha z. Totozani.
“Ajo që shoh të mungojë është gadishmëria e qeverisë për të pasur dialog me Avokatin e Popullit dhe për të pranuar se ndonjëherë ata gabojnë”, tha ambasadori amerikan Donald Lu.
Avokati i Popullit kërkoi të aplikohen dënime alternative dhe jo burg për shtetasit që arrestohen për vepra të lehta.
“Politika penale e konkretizuar me masën e “Arrestit me burg” të aplikuar nga gjykata, për vepra penale dhe autorë me rrezikshmëri të ulët shoqërore, si edhe për vjedhjen e energjisë elektrike, impulseve telefonike, apo kryerjes së ndërtimit të paligjshëm nuk është një masë e drejtë dhe proporcionale”, tha ai.
Top Channel