Ish-deputeti Koço Kokëdhima ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese përmes një postimi në Facebook, ku shprehet se do të presë vendimin e arsyetuar për të kuptuar më mirë dhe plotësisht natyrën e këtij gjykimi.
“Sot Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës së PD për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit tim të deputetit. Nuk do të bëj asnjë koment rreth vlerësimeve tona për integritetin e Gjykatës, profesionalizmin apo për influencimin e saj në këtë proces tërësisht politik, qysh në nisjen e tij 2 vjet më parë. Do të presim vendimin e arsyetuar, për të kuptuar më mirë dhe plotësisht natyrën e këtij gjykimi”, thotë Kokëdhima.
Në profilin e tij, ish-deputeti falenderon kolegët socialistë, miqtë dhe mbështetësit e tij, që, siç thotë ai, i kanë shprehur solidaritetin e tyre.
“Me apo pa mandat deputeti, unë do të punoj pa rreshtur për ju dhe për një Shqipëri më të mirë. Gjithë jetën time kam punuar me pasion për një jetë më të mirë jo vetëm për familjen time. Rruga ime në politikë nuk mbaron këtu. Ajo është vetëm në fillimet e saj”, shton Kokëdhima.
Top Channel