NBA, Cleveland në finalen e Lindjes

09/05/2016 11:45

Cleveland Cavaliers i mbyll përfundimisht llogaritë në sfidën me Atlanta Hawks dhe fluturon në finalen e Konferencës së Lindjes në NBA. Skuadra nga Ohajo fitoi edhe ndeshjen e katërt me Hawks në “Phillips Arena“ me rezultatin 100-99, duke regjistruar fitoren e 8 radhazi në fazën e “playoff“-it.

Kevin Love me 27 pikë dhe 13 topa në tabelë ishte protagonisti në fitoren e Cavaliers që tashmë pret i qetë skuadrën tjetër finaliste që do të dalë nga përballja mes Toronto Raptors dhe Miami Heat, me Raptors që kryesojnë 2-1.

Oklahoma City Thunder nuk ka ndërmend t’ia bëjë aspak të lehtë San Antonios rrugën drejt finales së Konferencës së Perëndimit. Skuadra e Thunder fitoi ndeshjen e katërt ndaj teksanëve 111-97, për të barazuar serinë e ndeshjeve me ta në 2-2. Russell Westbrook nuk ishte në ditën e tij më të mirë përsa i përket shënimit të pikëve, duke ia lënë vendin e liderit të Oklahomës, Kevin Durantit.

Ky i fundit shënoi 41 pikë në këtë ndeshje, duke barazuar rekordin e tij personal në karrierë për fazën e “playoff“-it. Perioda e fundit ishte ajo që vulosi suksesin për Oklahomën, e cila e mbylli këtë 12 minutësh me avantazhin 34-16. Për Spurs ishte e vështirë që t’i kundërpërgjigjej kundërshtarit të tij për t’u larguar nga parketi i dorëzuar.

Ndeshja e pestë mes këtyre dy skuadrave do të luhet në “AT&T Center” të Teksasit dhe do të jetë një sfidë që do të ketë shumë peshë në këtë gjysmëfinale të Konferencës së Perëndimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA