Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti një delegacion të Komisionit për Çështjet Evropiane të Parlamentit të Danimarkës, i kryesuar prej kryetares së këtij komisioni, Mette Gjerskov.
Meta i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe veçanërisht mes dy parlamenteve, si shumë të rëndësishme jo vetëm në planin dypalësh, por mbi të gjitha për integrimin evropian të Shqipërisë. Ai theksoi se në këtë drejtim fokusi mbetet në reformimin thelbësor të sistemit të drejtësisë, si kyç për suksesin e të gjitha reformave të tjera që janë të nevojshme për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe për thithjen e më tepër investitorëve të huaj në vend.
Kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane të Parlamentit të Danimarkës, Mette Gjerskov vuri në dukje se Danimarka mbështet progresin e Shqipërisë dhe zbatimin e reformave kyçe që janë në proces, duke nënvizuar se kjo rrit besueshmërinë e Shqipërisë pranë partnerëve të saj evropianë.
Top Channel