Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi i ka bërë thirrje politikës shqiptare që të votojë reformën në drejtësi dhe “boll kanë kaluar vijën e kuqe”.
PDIU është ndalur në qytetin e Lezhës, në kuadër të zgjedhjeve në parti që do të zhvillohen më 21 maj.
“U bë kohë që vërtitemi për reformën në drejtësi, pjesa morale, pjesa më e rëndësishme e institucioneve të Shqipërisë. Do të thoja sistemi autoimun i shoqërisë tonë. Ju e keni parë që gjatë gjithë kësaj kohe nuk e di çfarë presin dhe në çfarë artificash futet kjo reformë. Unë sot po ju them nga ky podium ne emër të PDIU-së: Politikanë shqiptarë, boll e keni kaluar vijën e kuqe dhe votojeni reformën në drejtësi, për të bërë për herë të parë drejtësi në këtë vend”, tha Shpëtim Idrizi para anëtarëve në qytetin e Lezhës.
Deputetja Mesila Doda tha se PDIU është gati të votojë menjëherë reformën në drejtësi, por theksoi se askush nuk mund të përfshijë nene që cënojnë familjen.
“Kemi deklaruar që do e votojmë patjetër reformën në drejtësi dhe do i mbahemi këtij premtimi. Por të mos harrojmë, që askush nuk mund të fusi nene të ndryshme brenda reformës, të cilat cënojnë familjen. Kërkohet që bashkë me reformën sot, ne duhet patjetër që t’i japim mundësi atyre që kanë orientim të ndryshëm seksual. Jo! Ne jemi për familjen dhe nuk mund të pranojmë dot, që nesër martesa të preket dhe familja të preket”, tha Mesila Doda.
Ndërkohë deputeti Tahir Muhedini, tha se PDIU nuk është parti as e majtë as e djathtë, por parti e çështjes kombëtare.
Top Channel