Skënderbeu me një dorë te titulli, e ashpër lufta për mbijetesë

08/05/2016 21:05

Skënderbeu tashmë duket i sigurt drejt titullit të radhës në kategorinë Superiore. Korçarët barazuan në Durrës 1-1 me Teutën dhe përfituan nga humbja e Partizanit në “Qemal Stafa” me Bylisin për ta çuar në 5 pikë diferencën.

Ishte parashikuar një ndeshje e vështirë për Skënderbeun në Durrës dhe ashtu rezultoi në të vërtetë. Edhe pse Latifi shënoi në pjesën e parë, ekipi i Maganit reagoi në pjesën e dytë, duke barazuar rezultatin në minutën e 61 me anë të një penalltie të kthyer në gol nga Lena.

Megjithatë, edhe pse Skënderbeu u ndal, Partizani nuk diti ta shfrytëzonte këtë mundësi të artë për të shkurtuar diferencën. “Të kuqtë” u mposhtën në “Qemal Stafa” 1-2 nga Bylisi i parafundit në renditje.

Në dy ndeshjet e tjera të Superiores të luajtura këtë të diel, Flamurtari mposhti 2-1 Tiranën, ndërsa Vllaznia fitoi 2-0 me Tërbunin, duke qenë thuajse e sigurt në Superiore edhe sezonin e ardhshëm.

Skënderbeut tashmë do t’i mjaftonte vetëm 1 pikë në dy ndeshjet e mbetura për t’u kurorëzuar sërish kampion. E ashpër është gara edhe në fundin e renditjes, ku Bylisi dhe Flamurtari duken më të rrezikuarat dhe me shumë mundësi javën e ardhshme, në ndeshjes direkte mes tyre që do të zhvillohet në Ballsh, do të mësohet edhe ekipi që do të ndjekë Tërbunin në Kategorinë e Parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA