Të gjitha etapat e jetës së një çifti, që nga njohja, propozimi për martesë e deri tek fillimi i jetës në çift, vijnë në lojën teatrale të komedisë me titull “Një jetë me ty”.

“Në fakt të gjitha këto etapa, publiku do të ketë mundësi t’i shikojë në dy versione. Gjithmonë ai që e tregon e nxjerr veten më të mirë në versionin e tij dhe kjo është gjëja më interesante e komedisë, ajo që e bën më atraktive për publikun”, thotë Romir Zalla, aktor.

Aktorët partnerë në jetë, vijnë çift edhe në skenë pas 10 vitesh.

“Ndajmë të njëjtën profesion. Besoj se kemi për t’i dhënë shumë njëri-tjetrit. Kjo bën që pjesa të marrë një ngjyrë të vërtetë dhe të ketë në thelb atë që ka teatri, marrëdhënien e vërtetë dhe të komunikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo të stisur” u shpreh aktorja Suela Baku.

Pjesa është shkruar në vitin 2013 nga Erion Kame, i cili pas 3 vitesh vendosi ta vërë në skenë. Qëllimi i komedisë është të tregojë se bashkëjetesa e shëndetshme nuk është ajo pa zënka, por ajo realja, me ulje-ngritjet të cilat duhen përballuar.

“Është një pjesë që trajton një problemet e çiftit dhe jetën bashkëshortore. Në qoftë se ka dashuri atëherë konfliktet e vogla nuk duhet të ndikojnë në të. Ky është pak a shumë qëndrimi që ne mbajmë në këtë pjesë”, deklaroi Erion Kame, autor dhe regjisor.

“Një jetë me ty” do të shfaqet premierë mbrëmjen e 9 majit në Teatrin Kombëtar për të vijuar më pas në Teatrin e Durrësit.

Top Channel