Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar para biznesmenëve dhe tregtarëve të Gjirokastrës programin e opozitës.
Teksa tregtarët i janë ankuar për vështirësi me tregjet dhe TVSH-në e lartë, Basha theksoi edhe njëherë uljen e taksave në programin e demokratëve.
“Ne kemi një paketë të veçantë fiskale, 9 për qind Taksë e Sheshtë. Pra nga 15 do të paguash 9, ke 6 për qind ulje në tatim-fitim. 9 për qind kontributet shoqërore edhe për këta gjashtë të punësuar që ke, edhe për të vetëpunësuarit që ke këtu. Kemi uljen e TVSH-së nga 20 në 15 për qind. Ne do të fillojmë në vitin e parë me 100 milionë dollarë subvencionim të drejtpërdrejtë për sektorin e bujqësisë, agrobiznesin dhe sektorin ushqimor në tërësi dhe përfitues të kësaj do të jenë padyshim edhe rritësit e peshkut”, tha Basha.
Kreu i PD-së inspektoi më pas rrugën Kardhiq- Delvinë, rrugë e cila ka mbetur pa përfunduar, duke e konsideruar një prioritet në mandatin e tij qeverisës të vendit. Më pas ai ka vizituar edhe dy familje në nevojë.
Z. Basha u takua më pas me biznese të ndryshme të zonës. Ai theksoi se rritja e pagës minimale, ulja e çmimit të energjisë dhe ulja e moshës së pensionit janë pjesë e platformës së Partisë Demokratike.
Top Channel