
“Ne do të ndjekim rrugën tonë, ju po të doni ndiqni tuajën”. Kështu i është përgjigjur Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, një prej kërkesave të Bashkimit Europian për të ndryshuar ligjet e vendit euroaziatik në këmbim të udhëtimit pa viza për qytetarët turq në zonën “Schengen”.
BE-ja kishte kërkuar nga Turqia që të qartësonte përkufizimin e kësaj të fundit mbi termin terrorizëm, në mënyrë që të kualifikohej për mundësinë e heqjes së vizave, si pjesë e një marrëveshje më të gjerë mes të dy palëve, që do të shërbente për lehtësimin e krizës së emigrantëve në Europë, më e rënda që prej Luftës së Dytë Botërore.
Erdogan ka folur për mediet vetëm një ditë pasi kryeministri Ahmet Davutoglu, i cili ka qenë edhe negociatori kryesor i marrëveshjes me BE-në, tha se do të largohej nga posti që mbante, pikërisht prej mospërputhjeve të mendimeve me presidentin e vendit.
Davutoglu raportohet të ketë kundërshtuar gjithashtu planin e Erdoganit për t’i dhënë më shumë pushtet Presidencës. Sipas Erdoganit, ndryshimet e propozuara kushtetuese janë të një rëndësie kombëtare, e jo kërkesa personale.
Marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë përfshin rikthimin e emigrantëve, kryesisht refugjatë sirianë, nga Greqia për në shtetin e shtrirë në dy kontinente, duke llogaritur këtu edhe një rritje të theksuar të ndihmave dhe masave të tjera për ata që strehohen tashmë në Turqi. E gjitha kjo do të bëhej me një lëshim, që do t’u mundësonte shtetasve turq lëvizjen e lirë për qëndrime afatshkurtra turistike në vendet e zonës “Schengen”.
Gjithsesi, BE-ja ka bërë të ditur së fundi se dëshiron prej Turqisë të përcaktojë me fjalë më të përqëndruara kuptimin e gjerë të fjalës terrorizëm, në mënyrë që t’i përafrohet me standardet e BE-së. Ky ishte edhe njëri prej 5 kritereve të BE-së, që Turqia ende nuk i ka përmbushur në mënyrë që t’i mundësohet lehtësimi i vizave.
Megjithatë Erdogan e ka refuzuar këtë, teksa në një dalje televizive të së premtes është shprehur:
“Bashkimi Europian po na kërkon të ndryshojmë ligjin antiterror, pikërisht në kohën kur Turqia gjendet nën sulmet e organizatave terroriste të të gjitha kaheve. Si mund ta kërkojnë këtë në këmbim të heqjes së vizave?”.
Duke iu referuar më pas tendave të ngritura pranë Parlamentit Europian në Bruksel, nga Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit “PKK”, Erdogan tha:
“Ju (BE) mund t’i lejoni terroristët të ngrenë tenda dhe mund t’u ofroni atyre mundësi në emër të demokracisë. Më pas mund të na thoni neve të ndryshojmë ligjet antiterrorizëm në këmbim të vizave. Por jo, më vjen keq, ne do të ndjekim rrugën tonë, ndërsa ju mund të shkoni nga rruga juaj”.
Top Channel