
Nëse rastësia do ta kishte ruajtur gjyqtarin Ibrahim Hoxha nga përgjimi telefonik, atëherë këtë të martë, në orën 09:15 ai do të kishte shpallur një vendim të padrejtë në favor të një shtetasi që ishte prej dy viteve në një përballje gjyqësore me të motrën.
Burimet i thanë Top Channel se gjyqtari i dhomes civile Hoxha hyri krejt papritur nën përgjime, gati një javë më parë, teksa nën përgjim ishte një zyrtar tjetër po për afera korrupsioni.
Menjëherë pas arrestimit kanë nisur edhe për miratimin e arrestit në KLD.
”Nxis çdo qytetar që të mos harxhojë kohë të bëjë denoncime vend e pavend, por të rreshtohet dhe të denoncojë në zyrën e prokurorit, policit gjyqësor që raste të tilla të jenë sa më të suksesshme që të jetë e mundur”, tha ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
Nga Prokuroria janë marrë në pyetje të katër të ndaluarit, gjyqtari Hoxha, i biri dhe sekseri Novruz Gajde, ish-oficer i policie dhe personi që ka ofruar paratë, Dritan Jazexhiu.
Ata janë shprehur se shuma prej 600 mijë lekësh e sekuestruar, ishte marrë për shitjen e makinës, version ky që rrëzohet nga përgjimet telefonike.
Sipas përgjimeve, pasi kishin dakordësuar shumën dhe vendin e dorëzimit të parave gjyqtarin dërgoi të birin t’i merrte.
Top Channel