Manifesti i adoptuar nga partia gjermane e ekstremit të djathte, AfD është dënuar me forcë nga politikanë e komunitete fetare në vend.
Kryetari i Këshillit të Myslimanëve të Gjermanisë, Aiman Mazyek, deklaroi se axhenda “islamofobe” e kësaj partie nuk ndihmon aspak në zgjidhjen e problemeve. Ajo nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të përçaje akoma më shumë shoqërinë, u shpreh Mazyek.
I së njëjtës linjë mendimi ishte dhe lideri i Shoqatës së Hebrenjve në vend, Joseph Shuster, i cili e bëri të qartë së politikat anti-islamike të AfD-së dëshmojnë intolerancën e kësaj force politike dhe një mungesë të thellë respekti ndaj minoriteteve fetare.
Ashpër reagoi dhe Gerda Hasselfeldt, një prej figurave kryesore të partisë simotër të konservatorëve të Angela Merke;, CSU-së, e cila pohoi për gazeten “Die Welt” se asnjë parti demokratike nuk do të bashkëpunonte me lideren e Alternativës për Gjermaninë, Frauke Petry.
“Ëndrra e saj për t’u bërë pjesë e qeverisë në 2017-n, pas zgjedhjeve të përgjithshme do të dështoje”, u shpreh Hasselfeldt. Për fjalinë “Feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë”, që ndodhej në projektprogramin e AfD, pati pakënaqësi në mbarë vendin.
Gjatë kongresit të tyre dyditor në Shtutgart, populistët e djathtë e konfirmuan kursin kritik ndaj fesë islame, ndërsa në programin e tyre kërkohet ndër të tjera ndalimi i minareve, thirrjes së Muezinit dhe mbulimit të plotë të femrave me perçe.
Top Channel