“Reuters”: Kosovës i hiqen vizat të mërkurën

01/05/2016 00:00

Agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi të dielën se shtetasit kosovarë do të kenë mundësi që të lëvizin pa viza shumë shpejt, pasi Bashkimi Europian ka vlerësuar se kushtet e vendosura janë plotësuar nga institucionet kosovare.

Sipas “Reuters”, zyrtarisht ky vendim do të shpallet të mërkurën e ardhshme dhe përveç Kosovës do të përfitojnë edhe Gjeorgjia, Ukraina dhe Turqia. Në total, numri i njerëzve, të cilët do të kenë të drejtën të lëvizin në zonën “Schengen”, do të jetë 127 milionë.

“Komisioni Europian raportoi këtë muaj se Ukraina dhe Gjeorgjia kanë plotësuar këto kushte, që duhet t’i plotësojë Turqia dhe të mërkurën do të shtohet edhe Kosova”, shkroi “Reuters”.

Ndërkohë, edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në llogarinë e tij në “Facebook”, bëri me dije se liberalizimi do të ndodhë së shpejti.

“Kosova ka kryer të gjitha obligimet e veta për implementimin e kritereve demokratike. Liberalizimi i vizave është një e arritur e vonuar, por vonesa nuk e zvogëlon atë, sepse për shtetin dhe qytetarët e Kosovës përbën një të arritur historike. Kufijtë europianë do të jenë gjithnjë të hapur për fëmijët tanë. Ata do ta shijojnë lëvizjen e lirë, do t’i takojnë bashkëmoshatarët europianë, do të krijojnë lidhje të reja të miqësisë dhe do t’i forcojnë edhe më shumë lidhjet me familjarët e tyre në diasporë”, shkroi Thaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA