
Edhe Tirana i bashkohet kryeqyteteve europiane në ditën ndërkombëtare të vallëzimit. Ka qënë një e shtunë ndryshe kjo e sotmja për prindër dhe fëmijë të cilët kanë ndjekur nga afër në parkun “Rinia”, teksa grupe fëmijësh kanë vallëzuar në skenën e improvizuar pranë monumentit të Pavarësisë.
“1600 fëmijë prej disa orësh kanë ardhur të kërcejnë dhe do të vijojnë deri në orët e vona të mbrëmjes. Ky aktivitet është për të treguar që Tirana duhet jetë një qytet që gëzon, ku kërcehet, ku festohet. Gjithashtu përmes këtij organizimi tregohet se Tirana është një qytet i bukur sepse edhe njerëzit, edhe Bashkia e Tiranës, mendojmë që ta kthejmë Tiranën në një qytet atraktiv, në qytet, i cili meriton që qytetarët e saj, fëmijët e saj, të gëzojnë, të tregojnë talentin e tyre”, tha nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Abaz Hado.
Rreth 1600 fëmijë kanë vallëzuar përgjatë gjithë ditës së shtunë me rastin e ditës ndërkombëtare të vallëzimit organizuar nga Agjensia e Rekreacionit dhe Gjelbërimit në bashkinë e Tiranës.
Top Channel