Masat kundër terrorizmit, Llalla pret homologun Belg; vlerësohet bashkëpunimi

26/04/2016 11:35

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka pritur në një takim në zyrën e tij prokurorin federal të Belgjikës, Frederic Van Leeuw, me të cilin ka biseduar mbi bashkëpunimin e institucioneve të drejtësisë në luftën kundër terrorizmit.

Sipas një njoftimi për shtyp, Llalla dhe Leeuw shprehën njëzëri qëndrimin se, “aktet barbare që tronditën Brukselin pak kohë më parë i nxisin të gjitha institucionet e sigurisë që të forcojnë bashkëpunimin”, për të parandaluar sulme të tilla në të ardhmen.

Zyrtari i lartë belg vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet shqiptare, si përsa i përket koordinimit për luftën kundër terrorizmit, ashtu edhe për hetimin e krimit të organizuar.

Ndërsa Llalla, nga ana e tij, garantoi homologun se, “vendi ynë do  të vijojë të jetë aleat i Belgjikës dhe i kujtdo tjetër që ka si objektiv primar ruajtjen dhe forcimin e sigurisë për çdo njeri, pavarësisht etnisë dhe besimit fetar”.

Krahas masave të përbashkëta kundër terrorizmit, drejtuesit e dy prokurorive u fokusuan edhe tek lufta kundër krimit të organizuar. Ata vlerësuan se, mes Shqipërisë dhe Belgjikës ka një bashkëpunim shumë pozitiv sa i përket evidentimit, hetimit dhe zbulimit të shtetasve shqiptarë dhe belgë, të përfshirë në veprimtari kriminale.

”Grupe të ndryshme shqiptarësh, të cilët veprojnë në paligjshmëri në Belgjikë, kanë qenë dhe vijojnë të jenë pjesë e koordinimit ndërshtetëror për vënien e tyre para drejtësisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nga ana tjetër, në Shqipëri janë zhvilluar hetime edhe për disa shtetas belgë, të cilët tentojnë të shfrytëzojnë vendin tonë për pastrimin e parave të mbledhura nga aktivitetet kriminale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA