Një kontroll i hollësishëm që Tatimet janë duke kryer mbi 300 korporatat më të mëdha në vend ka nxjerrë në pah skemat se si biznesi VIP fsheh taksat. Rrugët janë disa, duke përfshirë dhe transaksione fantazmë.
“Ka pasur biznese të mëdha që kanë bërë transaksione me biznese që rezultojnë pasive, që nuk kryejnë aktivitet ose janë të cregjistruara”, deklaron Irena Beqiraj, zv.ministre e Financave.
Por transaksionet fantazmë nuk janë rruga e vetme. Edhe në veprimet mes kompanive aktive ka mospërputhje faturash mes biznesit që shet dhe atij që blen.
“Jemi duke bërë rishikimin e faturave nëse shitësi dhe blerësi e kanë deklaruar në të njëjtën kohë. Është fenomeni që faturat deklarohen nga njëra anë e transaksionit dhe nuk deklarohen në tjetrën”, nënvizon Beqiraj.
Mospërputhje ka edhe në transaksionet mes biznesit të madh dhe atij të vogël. Sipas Beqirajt, bizneset e mëdha deklarojnë shitje në vlera të konsiderueshme tek bizneset e vogla, por këto të fundit nuk i pasqyrojnë në xhirot e deklaruara.
“Kjo tregon që ose bizneset e mëdha po përdorin bizneset e vogla, ose të voglat janë duke mos deklaruar shitjet duke mos prerë kuponin tatimor dhe kjo është për 2015-n”, shton Beqiraj.
Zëvendësministrja e financave thotë se të gjitha bizneset e mëdha që kanë përdorur këto rrugë për të fshuhur të atrdhurat do të kalojnë në rivlerësim tatimor.
Top Channel