“Top Story”, pezullimi i Berishës, bojkoti, Drejtësia dhe “21 Janari”

25/04/2016 00:00

Klima e bojkotit tashmë është kthyer sërish në politikën shqiptare, të paktën për 10 ditë, aq sa do të zgjasë edhe mungesa e deputetit demokrat, Sali Berisha, në Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të deklaratës për armatosjen e popullsisë kundër keqqeverisjes socialiste.

Një temë tepër e nxehtë kjo, që shkaktoi edhe bojkotin për 10 ditë të punimeve të Kuvendit nga Partia Demokratike, parti nga e cila këtë të hënë në studion e “Top Story”-t të gazetarit Sokol Balla ka qenë Edi Paloka, nënkryetar i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie opozitare.

I pyetur nëse ka opozita vullnet për të votuar draftin për Reformën në Drejtësi javën e ardhshme në Kuvend, Paloka shprehet se të gjitha veprimet e tyre janë të provokuara nga Edi Rama. Reagimet e tyre, ai i quan në proporcion me reagimet e Ramës, ndërkohë që zhvillimet e së hënës, me thirrjen e Komisionit të Reformës, Paloka e ka quajtur një tjetër lojë. Një thirrje pasi PD-ja e kishte marrë vendimin për bojkotim të përkohshëm nga radhët e bluve në Kuvend dhe komisione.

Deklarata e Berishës në Kuvend, propozim personal

Vetëm pak ditë më parë, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Sali Berisha bëri thirrje që qytetarët shqiptarë të armatoseshin për shkak të mungesës së sigurisë. Madje këtë e bëri duke e krahasuar me ligjin amerikan për armatosjen e shtetasve të SHBA-ve. Megjithatë, Paloka thotë se disa media janë përpjekur ta shkëpusin fjalën e parë të Berishës me kontekstin e plotë të asaj që ai kishte dashur të thoshte. “Disa media patën urdhër ta cungonin këtë deklaratë, ndërkohë që Berisha tha se duhej futur një ligj i ngjashëm me atë amerikan për armatosjen e qytetarëve. Ne e kemi një ligj të tillë, – thotë Paloka, – por teksa ua kemi hequr deputetëve, tashmë armatosen Shullazët dhe kriminelët e tjerë pa arsye. Armatosja e bandave, që shfaqen si polici private, përbën gjënë edhe më të rëndë sesa vetëm armatosja e Shullazit”. Sa i përket propozimit për armatosje, nëse është i nevojshëm një ligj i tillë për Shqipërinë, “kjo mbetet për t’u ulur në tryezë dhe për të diskutuar, megjithatë deri më tani nuk ka kaluar as në grupin parlamentar. Ai thjesht ka dhënë një ide të tijën, por që kërkon diskutime më të thella”. Ky, sipas Palokës, ishte vetëm një qëndrim personal, pavarësisht se të gjithë deputetët demokratë duket se po mbajnë një qëndrim të përbashkët.

Për këtë, Paloka fajëson vendimin e qeverisë, që ai thotë se po përpiqet ta eliminojë fare opozitën në Shqipëri. “Reagimet tona nuk janë aspak proporcionale me ato që po bën Rama, të cilit i ka mbetur vetëm të mbledhë Byronë dhe të vendosë për mospasje opozite”. Mazhoranca, sipas Palokës, po vepron duke përdorur vetëm fuqinë e kartonit dhe pavarësisht se duket ekstreme, ai thotë se situata po shkon drejt një problemi edhe më të madh, saqë deputetëve demokratë nuk u mbetet gjë tjetër veçse të largohen fare nga Parlamenti dhe të mos e njohin më atë.

Ndërkohë, pavarësisht se Berisha doli më pas edhe e zbuti qëndrimin e tij, Paloka thotë se nuk ka pasur asnjë ndryshim mes asaj që tha herën e parë dhe asaj që ritheksoi jashtë Parlamentit. Revolucioni demokratik ka kohë që përmendet mes radhëve tona, dikush më butë e dikush në forma më ekstreme, por është realiteti dhe drejt asaj po shkojmë.

Skënder Minxhozi ka ndërhyrë në këtë diskutim duke thënë se, është e vërtetë që Kuvendi i Shqipërisë ka vetëm një detyrë që po e mban ende, dhe pavarësisht klimës së tensionuar, është një detyrë që nuk mund të kryhet kur ka tensione e mosmarrëveshje, por që ka nevojë për diskutime, konsensus dhe ndoshta edhe tolerime. Pavarësisht nëse një palë ka faj apo jo, Minxhozi bëri një prezumim: kur Shullazi ishte jashtë dhe i lirë, demokratët merrnin pjesë nëpër komisione, ndërkohë që tashmë që ai është arrestuar, duket se po fillojnë debatet dhe bojkotet. Por duke parë edhe investimin e partnerëve ndërkombëtarë për Reformën në Drejtësi, analisti Minxhozi thotë se është në interesin e të gjithëve, përfshi demokratët, që duke lënë axhendat ditore të bënin gjithçka për të kaluar sa më shpejt Reforma në Drejtësi, e cila dihet që fillimisht do të prekë politikanët më të lartë që janë aktualisht në pushtet.

Arrestimi i Shullazit dhe bojkoti i Kuvendit

Paloka i është përgjigjur që demokratët janë tepër të interesuar për Reformën në Drejtësi dhe pavarësisht se e njeh shumë mirë sistemin tonë politik, ku edhe vet ai ka probleme për çështje pronash, është tepër e nevojshme që të reformohet sistemi i drejtësisë. Por, për këtë, ai fajëson kryeministri se kërkon një drejtësi tjetër, me çdo veprim që ka bërë deri më tani. Duke sjellë në vëmendje sulmin ndaj Strazimit në Kuvend, ai tha se drejtësia që kërkon të sjellë Edi Rama është që si agresori edhe i sulmuari të dënohen njësoj, siç edhe u dënuan nga gjykata. “A mund ta reformojë Rama drejtësinë?”, ngre pyetjen Paloka, i cili shton edhe kërkesat që kishte pasur e majta në pushtet qoftë për Byronë Kombëtare të Hetimit ashtu edhe për Drejtësinë, detaje të të cilave janë diskutuar gjatë dhe kanë marrë edhe vlerësimet apo kundërshtinë e Komisionit të Venecias. Deri më sot, jemi ne që i kemi dhënë një drejtim kësaj reforme, thotë Paloka, pasi Rama me arrogancën e tij nuk mundet ta bëjë i vetëm këtë reformë. Në këtë mes, për atë koncept që ka kryeministri për drejtësinë, Paloka thotë se nesër mund ta fusë të gjithë opozitën në burg.

Rasti Shullazi solli atë që edhe njerëzit e mbrojtur prej teje, një ditë të bukur futen në burg. Pas arrestimit të tij, për të cilin duhet të festojnë të gjithë shqiptarët, mbetën 3 ditë të trullosur vetëm Rama dhe Tahiri, teksa kryeministri mbajti më vonë një fjalim të gjatë në mbrojtje të Shullazit, duke akuzuar Prokurorinë. Ishte Tahiri, që u detyrua ta korrigjonte duke e quajtur lapsus. Sipas Palokës, Rama ka qenë edhe në dijeni të arrestimit të mundshëm të tij, pasi ishte njoftuar edhe nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, për kërcënimet e Shullazit ndaj kandidatit për rektor Mynyr Koni. Është e vërtetë që politika edhe i ka përdorur “të fortët”, të cilët janë ngatërruar në oborrin e politikës, por kurrë nuk ka ndodhur që këta të përdorin politikën, bën të ditur Paloka. Këta “të fortë” shpesh janë përdorur si ushtarë prej politikanëve në të kaluarën, ndërsa tashmë duket se ata kontrollojnë politikanët.

Pezullimi nga mazhoranca i Berishës për deklaratën e kundërligjshme

Arjan Vasjari e quan një deklaratë në kushtet e një deliri perfekt, thirrje që e tejkalonte kufirin e të ligjshmes, është pikërisht në kufijtë e antikushtetutshmërisë dhe nuk konsiderohet një propozim projektligji, por është një thirrje. Dhe kjo provohet nga tensioni me të cilin është thënë dhe mbi të gjitha nuk mund të thuhej kurrë nga një ish-kryeministër. Se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, ne nuk e dimë, por ai nuk bëri një propozim për projektligj për armatosjen e popullsisë, deklaroi Vasjari. Shqiptarët kanë 25 vite që ndihen të kërcënuar, por për të gjykuar me realizëm dhe gjakftohtësi atë që ka thënë zoti Berisha, ai ka gabuar. Për mua nuk përbën problem, është problematike por e izoluar, por problem përbën gjendja e stresuar dhe që ushtron trysni ndaj popullit. Berisha ka bërë thirrje në të kaluarën edhe për largim apo braktisje të vendit për shkak të vështirësive që vinin nga keqqeverisja socialiste. Ndaj dhe problematike është përpjekja për të gjetur një justifikim për ta përligjur atë deklaratë. Ndoshta mund të bënim thirrje për armatosjen e popullsisë para se të arrestohej Shullazi, por jo tani që ai është arrestuar. Berisha bëri një akt pozitiv, duke denoncuar një individ kriminel, por kjo nuk do të thotë që ai duhet të shkojë në Parlament dhe të bëjë thirrje për armatosje të popullsisë. Sipas Vasjarit, marrëdhëniet mes Berishës dhe PD-së kanë një problem, drejtimi është me fytyrën e Bashës, por imazhi frymëzues mbetet sërish ai i Berishës. Në një kohë që vendimi për bojkot nga PD-ja më duket i tepërt, pasi në të kundërt duhej pranuar që ish-kryeministri gaboi. Duhej të dilej dhe të pranohej që ishte qëndrim i tij personal dhe që nuk ishte vendim i Partisë Demokratike.

Megjithatë, Paloka e quajti këtë “gabim” të Berishës një mendim personal të Vasjarit, pasi nënkryetari i PD-së vazhdon ta quajë një ide të hedhur që mund të shoqërohej me një projektligj në të ardhmen, pasi të hidhej për diskutim çështja nëse është e nevojshme armatosja e shqiptarëve. Ideja mbetet e zotit Berisha dhe nuk ka ardhur për shqyrtim në grupin parlamentar, por nëse vjen, do të diskutohet dhe më pas do të merret një vendim. Personalisht mund të them se, kur ligji ma ka dhënë të drejtën për të mbajtur armë, unë e kam mbajtur, pavarësisht nëse kam qenë apo jo i kërcënuar. Ne jetojmë në një shtet ku ligjin e bëjnë bandat dhe qeveria i bindet ndoshta nga frika prej kriminelit. “Ne kemi fakte që të paktën Saimir Tahiri ka lidhje me Shullazin dhe, pavarësisht se ky është në burg, duhet ta kuptojmë se nuk është vetëm Shullazi bandë”, shtoi Paloka. Situata është e tillë dhe e rënduar, ku ligjet në këtë vend e bëjnë bandat dhe mund t’u marrin pronat shqiptarëve, pasi vëzhgohen dhe ndihmohen nga ky shtet.

Situata aktuale, goditje e krimit dhe jo lirim i kriminelëve

Kjo është situata e përshkruar nga analisti Minxhozi, i cili do ta mirëkuptonte deklaratën e Berishës nëse do të vinte pas një lirimi të një krimineli të arrestuar, por e sheh të pavend kur ndodh një arrestim krimineli. Një arrestim që siç e dinë të gjithë, ndodhi edhe prej denoncimit të Sali Berishës, e për këtë i njohu meritat.

* Pjesa e dytë nisi me një analizë të Lutfi Dervishit mbi debatin mbi armët, çështje të cilën ai e quajti problematike për Shqipërinë. Kjo edhe për shkak se, nëse zgjedhjet e ardhshme do të fitoheshin nga demokratët, çfarë do të bëhej nga këta të fundit: do të kërkonin mbledhjen e armëve, meqë socialistët na “detyrojnë” të armatosemi? Por Paloka u përgjigj se nuk jemi në situatën kur do të na duhet të supozojmë çfarë do të ndodhë, për sa kohë që ai ishte një ide personale, që ende nuk është kthyer në një nismë për projektligj.

Gjithsesi, 10 ditët e pezullimit do të kalojnë dhe Reforma në Drejtësi do të jetë sërish në qendër të vëmendjes për shkak të kërkesave nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe Gjermania veçanërisht. Për këtë reformë vullneti është i të gjithëve, ndaj dhe Paloka thotë se pavarësisht bojkotit të përkohshëm, nuk do të ketë asnjë pengesë apo lënie në rrugë të kësaj reforme. Sipas Palokës, ai që ka frikë nga kjo reformë, është Rama, që në momentin kur ndjeu se nuk mund ta kontrollojë drejtësinë bazuar mbi këtë reformë. Por këtu ka ndërhyrë Dervishi, i cili tha se kushdo që është në pushtet nuk mund ta ketë kënaqësi miratimin e një reforme të tillë, sepse mund të preket vet i pari nga ajo. Paloka ka shtuar se PD-ja nuk po përpiqet të gjejë justifikime, por nëse ata tentojnë ta kalojnë siç tha Xhafa, projekt që nëse biem ne dakord mirë, nëse jo ata sërish do ta kalojnë, besoj se kërcënimi i Xhafës nuk ka vend sepse ata nuk kanë as votat. Ne nuk do të votojmë një projektligj apo ndryshime kushtetuese që nuk i shoh si të drejta.

Reforma në Drejtësi, në duart e shumicës dhe opozitës

Vasjari u shpreh se ka një perceptim sikur opozita e pengon reformën. Sa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit shumë vetë janë shprehur kundër qenies nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme, por nën kontrollin e Prokurorisë dhe ky ndryshim është rënë dakord nga të gjithë. Ndërkohë që drafti që pritet të shtrohet për diskutim, i cili ka ardhur nga Komisioni i Venecias, e që do të jetë nën mbikëqyrjen edhe të OPDAT-it dhe EURALIUS-it, pret vetëm një konsensus nga të gjithë. Sipas Palokës, deri këtu për pikat ku kanë rënë dakord është vetëm meritë e demokratëve, sepse po të ishte për shumicën dhe po t’i kishte votat e nevojshme, do të vazhdonte me arrogancën e saj. Nga drafti që është për diskutim, pika më e papërputhshme mes shumicës dhe opozitës është çështja e numrave për emërimet: 2/3-tat apo 3/5-tat. Por Paloka thotë se nuk është çështje numrash, por çështje diktati sa i përket emërimeve. Ata janë në mazhorancë, thotë Paloka, por nuk mund të lejojmë të ndodhë siç ndodhi në Byronë parlamentare, ku ata janë shumicë dhe marrin vendime si të duan. “Pa marrë raste të veçanta, për gabimet që kemi bërë ne, e morëm goditjen duke dalë në opozitë”, tha Paloka. “Por shumica e atyre që dhanë votën për këtë shumicë parlamentare mendonin se vërtet do të kishte diçka më të mirë për ta, qoftë në aspektin ekonomik dhe fusha të tjera, por duket se edhe ata janë zhgënjyer”. Problemi kryesor për reformën është se kush do t’i bëjnë emërimet: duhet të dalim nga logjika e numrave dhe të futemi te logjika e marrëveshjeve dhe konsensusit. Parlamentin e sotëm, Paloka e quan të delegjitimuar dhe të mbushur me kriminelë, ndaj dhe nuk mund ta miratojnë këta Reformën në Drejtësi, ashtu siç e kërkon kryeministri, që kërkon një drejtësi pa drejtësi, që t’i këpusë kokën opozitës. Megjithatë për diçka duhet të biem dakord, thotë Paloka: kjo drejtësi ka probleme me korrupsionin dhe kur hasim ne si politikanë vështirësi për të marrë drejtësi, jo më qytetari i thjeshtë. “Nëse drejtësia është më problematike tani apo kur ishim ne në pushtet, këtë unë e them me fjalët e mia: drejtësia ka nevojë për reformim”.

Vendimi i “21 Janarit”, pas pengimit të hetimit zyrtar të Republikës së Shqipërisë

Pas daljes së vendimit të gjykatës mbi atë protestë që u shoqërua me 4 viktima, Minxhozi thotë se ka një emergjencë kombëtare që në vendin tonë të ndryshojë diçka, sidomos në drejtësi. E kjo pritet të ndodhë vetëm pas miratimit të Reformës në Drejtësi, për të cilën ai pyet nëse opozita ka një afat minimal apo maksimal se deri kur apo kur do të kalojë reforma sipas përllogaritjeve të demokratëve? Dhe, nëse nuk kalon reforma, kalimi i vendit në zgjedhje siç ka deklaruar shumica aktuale që nuk i ka numrat ta miratojë e vetme atë, a do të ketë edhe ndonjë plan rezervë veprimi Partia Demokratike? Paloka, duke folur mbi ngjarjen e 21 Janarit, ka vijuar me qëndrimin demokrat se ajo ngjarje ka qenë një sulm i drejtpërdrejt ndaj Kryeministrisë dhe ndaj pushtetit. “Ne kemi kërkuar që të hetohen të dyja palët, edhe ai që e nxiti atë situatë, edhe atë që ndodhi më pas. Por fakt është që u hetua vetëm ajo që ishte pasojë dhe jo nxitësi”. Sipas Palokës, ka qenë vet Prokuroria ajo që ka dështuar të hetojë personat e përfshirë në atë ngjarje, gjatë së cilës Kryeministria u dhunua dhe u pushtua me synimin për të rrëzuar qeverinë. Nuk është se dolën gardistët në rrugë dhe shtinë me armë ndaj turmës. “Bindjen time e kam thënë dhe e them përsëri. U thye dera e Kryeministrisë dhe u fut makina brenda. Njerëzit hynë brenda kufizimit dhe këto janë fakte të filmuara. Se çfarë ndodhi më pas është detyrë e prokurorisë ta hetojë dhe ta zbardhë”, mbylli deklaratën e tij Paloka.

Arrestimi i Shullazit, hapi i parë drejt Reformës në Drejtësi

Nëse drejtësia do të jetë e tillë që të dënojë kriminelët dhe jo njerëzit e pafajshëm, atëherë kjo do të ishte rruga e duhur e Reformës në Drejtësi që presim të miratohet. “Për ne rëndësi ka qenë të kryhet reforma dhe të bëhet siç duhet. Për ne, problemi kryesor është korrupsioni, ndaj dhe Byroja ka një kuadër ligjor të mbyllur, duke avancuar me propozimin tonë për të kaluar gjërat që kemi gati fillimisht”, thotë Paloka, i cili shton se shumica nuk pranon diçka të tillë por kërkon miratimin e të gjithë paketës së reformës. Sipas Palokës, më e rëndësishme sesa Reforma në Drejtësi mund të konsiderohet Reforma Zgjedhore, kjo për shkak se jemi shumë pranë zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat do të përcaktojnë shumë mbi të ardhmen demokratike të vendit. Sa i përket kërcënimit të Ramës për zgjedhje të parakohshme, “mendoni se ka opozitë që nuk kërkon zgjedhje?”, pyeti Paloka. Ai shtoi më tej se është në favor të ndryshimit të Ramës, pa konfirmuar nëse kjo do të bëhej nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme, apo përmes një qeverie teknike që do të arrinte të miratonte Reformën në Drejtësi përpara se vendi t’u drejtohej zgjedhjeve parlamentare. Megjithatë, përzierja e çështjes së reformës me atë të arrestimit të Shullazit, për Dervishin është diçka që të bën të humbasësh kohë kot dhe të mos bëhet asgjë në drejtimin e duhur.Por për Palokën, nuk ka asnjë kriminel që të ngrejë kokë kundër shtetit nëse nuk e ka vërtet mbështetjen e vet qeverisë së atij shteti. Këtu u përmend edhe ligji i Dekriminalizimit, i miratuar tashmë në Kuvend, por për Partinë Demokratike propozimi është që për çështjet e mbyllura duhet të kalojnë në Parlament, ndërkohë që për çështjet ende pa kompromis do të duhet ende kohë. “Këtu nuk bëhet fjalë për të ushtruar ndonjë presion ndaj qeverisë, sepse jemi në opozitë dhe nuk kemi çfarë presioni të bëjmë përveç se të kërkojmë miratimin e një reformë, që siç u tha në fillim, fillimisht do të merrte nën skaner pushtetarët aktualë”.

Në fund, Paloka e mbylli me krahasimin mes kreut historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe udhëheqësit aktual të saj, Lulzim Basha, për të cilët tha se është e vërtetë që ka dallime të qenësishme, por theksoi mes të tjerave se Basha është më tolerant.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA