Sofra e mbetur zbrazur

25/04/2016 00:00

“Data 27 mars më kujton një ditë të zezë e cila më ndryshoi krejtësisht jetën, ma ktheu në ferr”.

Kur pyet për shtëpinë e Çerkezëve në Gjakovë të Kosovës, të gjithë të drejtojnë gishtin nga shtëpia-muze që gjendet buzë rruge. 17 vite më parë, muret e saj gëlonin nga gjallëria e katër vëllezërve Artanit, Armendit, Ardianit dhe Edmondit.Sot, asnjë prej djemve të nënë Ferdonijes, siç e njohin andej pari, nuk jeton më.

Mbërmjen e 27 marsit 1999, së bashku me të atin Halimin, ata u morën me forcë nga ushtarët serbë, për të mos u kthyer më kurrë. Gjashtë vite më pas, eshtrat e Artanit dhe Edmondit u gjetën, ndërsa për tre burrat e tjerë s’ka ende asnjë shenjë.

“Djali i vogël ka qenë në gjumë, e zgjova dhe i thashë ‘Mondi, çu se milicia’, me mendimin se do ta shpëtojë, por më duket se gabova që e zgjova dhe kjo më vret më shumë. Më ka ngel peng”, thotë Ferdonija.
 
Edhe sot, ata zënë çdo mendim të sajin.

“Sa herë që hap e mbyll sytë i kujtoj, si djemtë ashtu edhe nuset. Si për djemtë që më merr malli, ashtu me merr edhe për nuset”, thotë me lot në sy ajo.

Për pesë vite e gjysmë me Ferdonijen qëndruan edhe nuset e dy djemve të mëdhenj. Ikja e tyre ishte po aq e rëndë. Mbase, sepse në ato momente u shuan dhe shpresat se një ditë, burrat e shtëpisë do të ktheheshin sërish.

“Kur dolën nuset e kuptova se nuk kishte më shpresa. Ishte natë kur ato ikën edhe ju thashë që nuk dua t’ju shoh më”, tregon ajo.

Befas, dashuria prej nëne mposht edhe logjikën.

“I pres. Edhe pse i kam varros Artanin dhe Edmondin dhe i kam parë trupat pa jetë, i pres. Ashtu siç i pres edhe ata që nuk janë gjetur akoma. Shpresa vdes e fundit”, vijon nënë Ferdonija.

Prej më shumë se 11 vitesh, Ferdonija jeton krejt e vetme. Hyn dhe del në dhomat e mëdha të shtëpisë. Nëpërmjet fotove, këtu gjen ciklin e jetës së saj.

“Në vitin 1970 u martova, më 1974 lindi Artani, 1975 Armendi, më 1980 Arbiani dhe tjetri më 1985. Nga dy bashkëshortë kisha 4 djem. Djemtë u rritën, iu treguam, pastaj u martuan dhe deri në vitin 1999 kemi qenë 8 anëtarë. Nga 27 marsi kam mbet vetëm me dy nuset, ndërsa nga viti 2004 e tutje jetoj e vetme. Nipat, mbesat, kushërinjtë e tjerë që jetojnë në Gjakovë e Prishtinë, komshinjtë vijnë dhe më vizitojnë, por në fund të ditës prapë mbes vetëm”, tregon Ferdonija.

Për shumë kohë, ajo gatuante edhe për djemtë e bashkëshortin. “Kam gatuar për 5 vite e gjysmë, por edhe tani, në raste festash, gatuaj sërish për ata”, thotë ajo.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta